Kosova

EULEX-i shton praninë mbi urën e Ibrit: Po patrullojmë për parandalimin e ndonjë situate të paparashikueshme

Nga Gazeta 'Si'-Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) sot është parë se ka vendosur makina mbi urën e Ibrit, aty ku tani e disa ditë po kryhen punime.

Nga EULEX-i kanë deklaruar se patrullimet po kryhen me qëllim të parandalimit të ndonjë situate të paparashikueshme. Ata theksuan se jo vazhdimisht janë prezentë mbi urën e Ibrit.

“Për t’i paraprirë ndonjë situatë të paparashikueshme, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – afërsinë e urës. Dëshirojmë të theksojmë se EULEX-i nuk ka prezencë të vazhdueshme statike të sigurisë në urë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

Të pyetur se si është situata e përgjithshme e sigurisë, përkatësisht a ka ndonjë rrezik potencial, EULEX-i rikonfirmoi që “siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë”.

Më tutje thanë se janë të gatshëm ta ndihmojnë Policinë e Kosovës në rast se një gjë e tillë kërkohet.

“EULEX-i mbetet vigjilent dhe në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë me tri nivele të Kosovës, është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse kërkohet dhe është e nevojshme për të kontribuuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”.

Mëngjesin e së mërkurës makina të blinduara të EULEX-it dhe KFOR-it janë parë mbi urën e Ibrit.

Aty kanë vazhduar edhe sot punimet, përkatësisht në pjesën mbi urë dhe pjesët rrethuese të saj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka publikuar të martën raportin e vlerësimit të urës së Ibrit, mbi kapacitetet mbajtëse të strukturës së saj, në të cilin raport u tha se ajo është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë