Kombetarja

Etrit Berisha u bashkohet papritur kuqezinjve, dëmtohet Uzuni

Etrit Berisha ishte një nga lojtarët e Kombëtares që nuk u lejua nga klubi për t’u grumbulluar me kuqezinjtë, por dje ai i është bashkuar papritur grupit në Durrës dhe do të jetë gati për trajnerin Edi Reja. Spali ka vendosur ta lejojë portierin me përvojë që të grumbullohet me Kombëtaren e Shqipërisë. Bie kështu “alarmi” për portën kuqezi.

Tomas Strakosha ka probleme fizike dhe me ardhjen e Berishës me siguri do të jetë ai titullar ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë, me shumë mundësi edhe kapiten i ekipit, në mungesë të Elseid Hysaj në ndeshjen e parë.

Kombëtarja në stërvitje. Gazeta Si, 7 tetor 2020

Leje nga klubi i Juventusit pritet të marrë sulmuesi Xhakomo Vrioni dhe sot ai mund të bashkohet me kuqezinjtë. Lajm i keq është dëmtimi i Myrto Uzunit, gjendja e të cilit do të shihet gjatë këtyre ditëve. Futbollisti beratas po kalonte një formë shumë të mirë dhe trajneri Reja me siguri e ka llogaritur si titullar, por mbetet për t’u parë, nëse do t’ia dalë apo jo ta kalojë dëmtimin.

Ndeshja e parë është ajo me Kazakistanin, që luhet të dielën e 11 tetorit, kurse me Lituaninë do të ndeshemi më 14 tetor. Të dyja ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kombeve janë në transfertë. Trajneri italian ka shumë mungesa, si Cikalleshi, Sadiku, Hysaj, Balaj, Ramadani, Kamberi, Gjasula e ndonjë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë