Trashëgimi

‘EtnoFest’, festivali që bën bashkë traditën, folklorin dhe trashëgiminë kulturore

Etno Fest-i në Prishtinë vazhdon të tërheqë një numër të lartë dashamirësish të traditës, folklorit e trashëgimisë kulturore, në këtë edicion të 13-të të tij.

Programi i pasur deri më 20 gusht do të ofrojë për publikun ekspozita të shumta, performanca muzikore, shfaqje teatrale, punëtori etj.

Plot vepra artistike që shënojnë etapat e shtetësisë dhe lirisë së Kosovës presin vizitorët këto ditë.

Ndër të tjera, ky edicion i ‘Etno Fest’ prezantoi edhe ritet e veshjeve tradicionale e veçanërisht xhubletën.

Xhubletën në Etno Fest e prezantoi Rita Kalaj nga Shkodra. Xhubleta është veshje tipike e grave në Shqipërinë veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi.

Në shekullin e XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë, paraqet ngjashmëri me disa figura të gjetura në Bosnjë e vise të tjera të Mesdheut. Që prej vitit 2022 xhubleta është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO në nevojë urgjente për mbrojtje. Gjithashtu u prezantuan edhe veshjet e grave të Hasit, edhe ato mjaft të veçanta në llojin e tyre.  

Festivali, me mbështetës kryesor Ministrinë e Kulturës së Kosovës, vazhdon të jetë shembull se si mund të shfrytëzojmë potencialin e hapësirave të trashëgimisë kulturore, duke harmonizuar traditën me inovacionin dhe duke u shndërruar në një pikë referimi për të pasionuarit e kulturës dhe vizitorët e turistët.

Të pranishëm në hapje ishin ministri Hajrulla Çeku dhe ministrja Albulena Haxhiu, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, artistë e artdashës.

Në hapësirat e Etno Fest vazhdojnë ekspozitat e pikturave, skulpturave, mozaikë e punëtori.

Mbrëmjen e sotme njëri prej artistëve që do të performojë në Etno Fest është Mentor Haziri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë