Gazeta Si – Pak dita nga shpallja e listës zyrtare me 26 lojtarët e grumbulluar për në Katar 2022, trajneri i Brazilit, Tite, tregon hapur situatën që po përjeton. “Jam në ankth dhe po zgjohem çdo ditë më 4 të mëngjesit, – thotë Tite për ‘Esporte Espetacular’. – Gruaja ime është mësuar tani.
Kur tensionohem dhe përpëlitem në shtrat ajo më thotë të rri i qetë. Më thotë të fle më shumë, por mendimet për lojtarët që do të grumbulloj nuk më lënë të qetë. Janë sportistët, por para së gjithash janë njerëzit, karakteret e tyre. Ka djem dhe baballarë dhe njeriu gjithmonë duhet respektuar.

Dhe për mua është detyrë të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që bëjnë, apo kanë bërë pjesë te ky grup. Ka zgjedhje të diktuara nga arsye teknike, por respekti për të gjithë do të jetë gjithmonë”.
Tite ka njoftuar më parë se pas Botërorit të Katarit do të largohet nga stoli i Brazilit, cilido qoftë rezultati. Ai ka pohuar gjithashtu se donte të jepte dorëheqjen që pas eliminimit nga Belgjika në çerekfinale të Rusi 2018.
“Fola me familjen dhe më pas ndërrova mendje, – shpjegon Tite. – Edhe 4 vjet të tjera më dukeshin një përjetësi dhe nuk e dija, nëse kultura në futboll në Brazil do më lejonte të kisha durim. Kam bërë të paktën 500 herë shëtitje lart e poshtë në bregdetin e Barra da Tijuca, kam folur shumë me gruan dhe fëmijët, pastaj kuptova se mund të qëndroja”.
Tite e drejton Seleçaon nga gushti i 2016-ës dhe në 76 ndeshje regjistron 57 fitore, 18 barazime dhe 5 humbje, me një përqindje suksesi 81,14%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




