Gazeta Si – Gabriel Eskobar, i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, është shprehur se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë është çështje javësh. Në një intervistë për ‘Kanal10’ në Kosovë Eskobar theksoi se u përket dy palëve dhe ndërmjetësuesve për të vendosur afatet kohore.
“Kam dëgjuar nga kolegët e mi europianë se është çështje javësh dhe jo vitesh një marrëveshje për rrugën përpara. U përket dy palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke ditur kontekstin e asaj që po ndodh, secili duhet të marrë përgjegjësi për stabilitet në Europë dhe në rajon”, – tha Eskobar.

Ai foli edhe për propozimin franko-gjerman mbi arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Prishtinë-Beograd. Eskobar u shpreh se ajo çka propozohet nga shtetet europiane për dialog duhet marrë seriozisht.
“Ne do ta mbështesim këtë propozim. Na është shpjeguar se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrimin më të afërt të Kosovës dhe potencialisht Serbisë. E mbështesim plotësisht. Ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera europiane”, – deklaroi Eskobar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




