Biskotat, akullorja dhe pijet e gazuara mund të krijojnë po aq varësi sa alkooli dhe cigaret, ka zbuluar një studim. Çfarë po i bëjnë këto ushqime trupit tonë dhe si mund ta heqim këtë zakon?
Mund të jetë çokollatë, akullore ose pije me gaz. Këto ushqime ultra të përpunuara (UPF), të cilat ne e dimë se janë jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin, janë të krijuara për të qenë tepër të shijshme dhe për t’i ngrënë tepër. Tani studiuesit besojnë se nuk është thjeshtë e vështirë për tu rezistuar por krijojnë edhe varësi.
Një analizë e 281 studimeve në 36 vende nga shkencëtarë nga SHBA, Spanja dhe Brazili, e publikuar në BMJ, zbuloi se 14% e të rriturve dhe 12% e fëmijëve kanë një varësi ndaj ushqimit dhe ushqimi nga i cili ata janë të varur është ultra i përpunuar.
Autorja kryesore e studimit Ashley Gearhardt tregon për disa nga shembujt ekstremë të varësisë ndaj ushqimit që ka hasur në kërkimin e saj. Një pacient me diabet të tipit 2 i dinte rreziqet e vazhdimit të ngrënies së ushqimeve me shumë sheqer. Pavarësisht se donte dëshpërimisht të ndalonte, ajo nuk mundi.
Ajo nuk hante vetëm një donut, por të gjithë kutinë.
“Thjesht nuk mundem të ndaloj”, i tha pacientja Gearhardt, e cila e krahason rastin me një person që vuan nga kanceri i mushkërive dhe përsëri nuk mundet të lërë duhanin.
Chris van Tulleken, doktor, shpjegon se ushqimi nuk krijon varësi por UPF nuk janë në të vërtetë ushqim.
“Qëllimi i ushqimit është të ngopë njerëzit ndërsa qëllimi kryesor i UPF është fitimi dhe rritja financiare.”
Gearhardt pajtohet se ajo që ka ndryshuar është ushqimi. ‘Sistemi’ i trupit tonë është krijuar për t'u siguruar që të marrim mjaftueshëm sheqer dhe yndyrë për të mbijetuar. Me UPF-të, ajo thotë se "Sistemi ynë i mbijetesës ka kaluar në mbingarkesë".
Një shembull i dhënë në rishikimin e BMJ janë biskotat. Biskotat e bëra në shtëpi përmbajnë gjalpë dhe sheqer (yndyrë dhe karbohidrate), por shumica e njerëzve nuk hanë një sasi të madhe, ndërkohë që ndryshe ndodh me biskotat ultra të përpunuara ku mund të jetë e vështirë që të ndalosh.
Këto të fundit, shpjegojnë studiuesit, janë "më të aksesueshme, të përshtatshme dhe më të tregtuara sesa versionet e bëra në shtëpi dhe për këtë arsye ka të ngjarë të jenë një nxitës më i fuqishëm i varësisë".
Mos e nënvlerësoni komoditetin: “Nëse do të më duhej të bëja vetë çokollatën ose picën time, ndoshta nuk do ta haja aq shpesh”, thotë Gearhardt.
Nga ana tjetër, ngrënia e UPF-ve bën që dopamina, një neurotransmetues në tru, të rritet, duke na bërë të ndihemi mirë. Më pas bie, duke na bërë të ndihemi keq. Ne dëshirojmë rikthimin e ndjenjës së mirë, kështu që hamë më shumë UPF.
Rritja e dopaminës është e ngjashme me atë të shkaktuar nga alkooli e nikotina dhe nivelet e varësisë janë pothuajse identike gjithashtu (14% e të rriturve janë të varur nga alkooli, 18% nga nikotina, siç citohet në studimin BMJ).
Ndryshe nga etanoli (alkooli që pimë) dhe nikotina, shkencëtarët nuk kanë identifikuar një kimikat specifik që është përgjegjës për varësinë ndaj ushqimit.
“Nuk është një molekulë që krijon varësi. Njerëzit mund të jenë të varur nga kola dietike, pica apo çokollata”, thotë Van Tulleken.
Studiuesit pajtohen se nuk ka gjasa të jetë një kimikat i vetëm dhe se problemi ka të bëjë më shumë me mënyrën se si përbërësit ndërveprojnë.
Një nxitës i varësisë mund të jenë aditivët në UPF. Përsëri, ekziston një paralele me cigaret, të cilat shpesh përmbajnë aditivë si sheqer, kakao, mentol dhe kripë për të përmirësuar shijen dhe për të rritur shitjet. Po kështu në UPF, aditivët e shijes rrisin shijet e ëmbla dhe të dëshirueshme.
Varësia nga UPF nuk është ende një diagnozë zyrtare dhe nuk ka asnjë trajtim të disponueshëm.
Por çfarë mund të bëni tani nëse jeni të shqetësuar për varësinë nga UPF?
“Përpjekja për të lënë UPF-të tani është si të përpiqesh të lini duhanin në vitet 1960,” thotë Van Tulleken. UPF-të janë kudo dhe ato përbëjnë më shumë se gjysmën e dietës mesatare.
Studiuesit sugjerojnë që para se të konsumoni një ushqim, të lexoni përbërësit dhe të pyesni veten nëse është një ushqim i mirëfilltë apo jo.
“Kështu mund të kaloni shpejt nga varësia në neveri”.
Van Tulleken thotë se hapi i parë, si me çdo varësi, është të kuptosh se ekziston një problem.
“A mund të ndaloni së ngrëni UPF? Kur përballeni me emocione negative, a mund të përballeni në një mënyrë tjetër në vend që të hani? Pastaj, nëse është e nevojshme, kërkoni ndihmë mjekësore”.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.