Ngjarje

Është njoftuar që në nëntor nga ekspertët, Ministria e Bujqësisë konfirmon murtajën afrikane të derrave në Lezhë

Konfirmohen raste të prekjes së derrave të butë nga murtaja afrikane në Shqipëri.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në një njoftim publik, bën me dije se janë identifikuar disa raste në një fermë në Lezhë.

Kampionet e dërguara nga kadavra e derrave të butë dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës – Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në datën 26.12.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.

Në datën 25 Dhjetor 2024, nga veterineri zyrtar i shërbimit për Njësinë Administrative Shëngjin, është konstatuar se në fshatin Ishull – Lezhë tek një fermer ka patur ngordhje në 8 krerë derra. Në datën 26 Dhjetor 2024 Shërbimi Veterinar i Sektorit të Lezhës ka shkuar në fermë dhe ka konstatuar ngordhjen edhe të 7 krerëve të tjerë.

“Pasi është kryer groposoja e kafshëve të ngordhura, disinfektimi i mjedisit, janë marrë kampione zyrtare (karkasë dhe organe), të cilat u dërguan në ISUV me fletë shoqërimi për dyshim të sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, sipas protokollit të përcaktuar”, shkruan Ministria e Bujqësisë.

Ditën e sotme, në datë 27.12.2024 është mbajtur takimi i Qëndrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë në fuqi Urdhri nr.1131 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikanë në Derrat e butë”, në të cilin udhërohen masa shtesë për:

1. Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të derrave të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Bashkinë Lezhë.

2. Ndalimin në territorin e Bashkisë Lezhë të lëvizjes së derrave të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet, panairet dhe ekspozitat e kafshëve të gjalla.

3. Veterineri zyrtar me miratim të titullarit të DRVMB mund të autorizojë lëvizjet e derrave të mbarështuar nga fermat pa prani të sëmundjes, që ndodhen në zonën e mbrojtes direkt për në një thertore, e cila ndodhet sa më afër që të jetë e mundur me fermën e origjinës dhe brenda zonës së mbrojtjes, ose në zonën e mbikëqyrjes, kur nuk është e mundur që kafshët të theren në zonën e mbrojtjes.

4. Të kryhet inventarizimi dhe gjurmimi me teste laboratorike konfermatore për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, në Njësitë Administrative: Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll të Bashkisë Lezhë.

5. Të forcohet marrja e masave për kontrollin e lëvizjes së kafshëve, zbatimin e masave të Biosigurisë dhe masave sanitaro-veterinare në zonën e mbrojtjes dhe mbikqyrjes në Njësitë Administrative Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll.

Murtaja Afrikane e Derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo përbën një rëndësi të madhe për ekonominë dhe shëndetin e popullatës së derrit në vendin tonë.

Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli e ka njoftuar praninë e murtajës afrikane të derrave në Lezhë që në nëntor, duke thënë se Shoqata e Gjuetarëve kanë konstatuar në malin e Torovicës, Lezhë 12 derra të ngordhur.

Sipas tij, mostrat e marra ato ditë kanë dalë pozitive por nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë