Nga Gazeta Si – Ndonëse jemi zyrtarisht në stinën e verës, në vendin tonë virusi Covid-19 vijon qarkullimin bashkë me viroza të tjera, ndërsa gripi duket se është larguar përfundimisht.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, përgjatë javës së 21, janë regjistruar 470 raste të reja me Covid-19.
Burimet zyrtare nga ISHP i thanë Gazetasi.al se vetëm në periudhën 20-26 maj u regjistruan 8 raste me Covid-19 ndërsa numri i vdekjeve vijon të jetë 0.
“Simptomat e Covid-19 ngjasojnë me virozat, dhimbje fyti, temperaturë e lartë për 2-3 ditë, por përmes analizave të thjeshta të gjakut konstatohet nëse je prekur nga Covid-19 apo viroza. Ndërsa raste me grip nuk kemi identifikuar përgjatë muajit maj”, thanë burimet nga ISHP.
Fëmijët dhe personeli mjekësor, ndër më të prekurit
Sikurse dhe gjatë pandemisë, kategoritë më të prekura nga virozat dhe Covid-19 janë fëmijët, për shkak të qëndrimit të gjatë në ambientet e mbyllura si dhe personeli mjekësor.
“Nuk e di sa herë mund të jem prekur nga viroza apo Covid këtë periudhë kohe. Vajzën e kam 4 vjeç dhe frekuenton kopshtin. Temperaturë e lartë dhe dhimbje fyti kemi patur të dyja këtë periudhë.
Edhe luhatja e temperaturave ka ndikuar në shtimin e qarkullimit të virozave”, thotë një prind që viziton fëmijën në një prej qendrave shëndetësore në Tiranë.
Ndërsa mjekët e infermierët që janë në kontakt direkt me pacientin, mbeten kategoria më e prekur nga viruset që po qarkullojnë në ajër.
‘Kisha dhimbje trupi dhe fyti dhe temperaturë të lartë deri në 40. Bëra një test dhe rezultova pozitive. Covid-19 nuk është larguar por simptomat janë pothuajse njësoj si virozat, ndaj duhet të keni kujdes mos ti neglizhoni’, këshillon epidemiologu Dritan Ulqinaku nga ISHP.
Covid, virozë apo alergji, si ti dallojmë simptomat?
Ekspertët e shëndetit publik thonë se kjo është periudha në të cilën është e vështirë të dallosh nëse vuan nga Covid, një i ftohtë apo një alergji.
Udhëzimet e OBSH thonë se ata që janë infektuar disa herë nga virusi Sars-CoV-2 mund të përjetojnë simptoma më të rënda, për shembull, gjatë infeksionit të tretë në krahasim me dy të parët.
Por në shumicën e rasteve, sa më shumë imunitet që është krijuar përmes infeksioneve të përsëritura, vaksinimeve ose një kombinimi të të dyjave, i bën simptomat e Covid më të buta.
“Teshtitja dhe rrjedhja e hundës janë të pranishme si për infeksionin Covid ashtu edhe për alergjinë, por nëse kemi rrjedhje me mukozë transparente dhe teshtitje të shpejtë, ndoshta të shoqëruar me skuqje të syve, ka shumë mundësi që të jetë e dyta’, thotë eksperti i shëndetit publik Dritan Ulqinaku.
Sipas ekspertëve, njerëzit me alergji rrallë zhvillojnë temperaturë të lartë, edhe nëse variantet e fundit gjenerojnë më shumë ethe të shkallës së ulët. E njëjta gjë mund të thuhet për infeksione të tjera virale.
Covid-19 dhe lidhjet me dhimbjet e stomakut
Covid mund të shkaktojë dhimbje stomaku, duke i lënë të prekurit me të vjella dhe diarre, të cilat zakonisht nuk janë të pranishme në alergji.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se ndryshe nga ata me alergji sezonale, në rast të Covid-19, shpesh ndjehen dhimbje muskulore.
“Kësaj i shtohet edhe fakti se alergjitë priren të shkaktojnë kruajtje, kështu që nëse kruani sytë, veshët dhe fytin, ka shumë më pak gjasa që të jetë SARS-CoV-2.
Një tjetër ndryshim thelbësor është se alergjitë shkaktojnë simptoma “të thata”. Kjo do të thotë se kolla e lidhur me to përgjithësisht nuk prodhon mukozë. Dhe pastaj është lodhja. Mund ta shkaktojnë si alergjitë ashtu edhe infeksionet virale, por me Covid-19, lodhja shfaqet papritur dhe zakonisht është dobësuese”, thonë ekspertët.
Ekspertët theksojnë se mjedisi ku qëndrojmë vijon të jetë thelbësor, si në kohën e pandemisë.
Nëse keni kaluar kohë me njerëz që më vonë rezultuan pozitivë për virusin SARS-CoV-2 dhe më pas nuk mund të ndaloni teshtitjen, ka shumë mundësi që të keni të bëni me Covid.
Nga ana tjetër, nëse me ardhjen e pranverës filloni të teshtini, pikërisht kur pemët fillojnë të lulëzojnë, mund të bëhet fjalë për një alergji.
Megjithëse është e mundur që të njëjtat simptoma të “ndizen” papritur te njerëzit që nuk i kanë pasur më parë.
Lëvizja në një vend tjetër, për shembull, mund t’ju ekspozojë ndaj poleneve të reja dhe sezoneve më të gjata të rritjes, të cilat mund të shkaktojnë një reaksion alergjik.
Ekspertët theksojnë se kujdes duhet t’i kushtojmë kohëzgjatjes së kohës në të cilën ndiheni të sëmurë: nëse i ftohti vazhdon për javë të tëra, ka të ngjarë që të jetë një alergji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




