Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për gazetën “Die Presse”, tha se SHBA-ja është duke pritur nga Kosova një draft për atë se si do të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Ai tha se Asociacioni përmendet në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit Evropian dhe gjithashtu edhe në marrëveshjen e Ohrit.
Emisari amerikan theksoi se nëse Kosova s’dëshiron një Republikë Serbe si në Bosnjë, atëherë duhet ta japë draftin e vet, ndërsa shtoi se është koha që ajo të tregojë se çfarë dëshiron.
“Asociacioni do të bëhet edhe nëse s’do Kurti, nuk varet nga ai”, citoi Escobar.
I pyetur se cilat janë hapat për të ulur tensionet në veri të Kosovës, Escobar tha se duhet thyer cikli i dhunës.
“Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i detyrojë kryetarët shqiptarë në veri të kalojnë nëpër zyra komunale, të cilat janë kaq simbolike për serbët. Megjithatë, puna administrative duhet të vazhdojë. Udhëheqja e Serbisë, nga ana tjetër, duhet të dërgojë mesazhin e qartë: Dhuna nuk do të tolerohet – jo kundër forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe jo kundër policisë.
Dhe atëherë duhet të kërkojmë një mënyrë për të krijuar besim më të madh – edhe nëse kjo do të thotë zgjedhje të reja për kryetar bashkie”, ka deklaruar, mes tjerash, Escobar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.