I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u pyet në Kongres për angazhimin amerikan për t’i bërë pesë vendet e Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Escobari gjatë raportimit në Kongres tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron dhe se aspirata më e lartë e administratës “Biden” është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe ta sigurojë një ulëse në OKB. Ai përmendi planin për një fushatë globale për njohjen e Kosovës këtë vit, gjë për të cilën tha se s’po e merr atë që duhet nga Qeveria e Kosovës.
Escobari tha se pesë vendet e BE-së që s’e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës kanë disa kërkesa, për të cilat ai tha se po përpiqet ta bindë Qeverinë e Kosovës t’i plotësojë.
“Disa nga vendet nuk mund ta njohin për shkak të mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të tjerat nuk e njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë, kështu që unë do të doja të shihja një marrëveshje për normalizimin”, tha ai.
Diplomati amerikan e konsideroi marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si “mundësinë më të madhe në 15 vjet”.
Ai foli për nevojën e një fushate jo vetëm rajonale e evropiane, por për një fushatë globale të njohjeve për Kosovën, në rast se ajo i përmbush obligimet e saj, si formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Tani ajo që shumica e këtyre vendeve do të dëshironin të shihnin është vullneti i mirë nga Kosova në përmbushjen e pjesës së saj të marrëveshjes”, tha Escobari, duke vënë theksin te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe “me mbështetjen amerikane në mënyrë që të mos e cenojë Kushtetutën dhe strukturën ligjore ose funksionalitetin” e shtetit.
“Deri më sot nuk e kam marrë atë zotim nga Qeveria e Kosovës”, tha Escobari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




