Kosova

Escobar-Lajçak: Nisni urgjent bisedimet për themelimin e Asociacionit. Draft-statuti i Ramës, propozim serioz

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë një diskutimi të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut deklaruan se themelimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

“Besoj te BE-ja, te modelet evropiane. Duam që bashkërisht të hartojmë statutin, që do të bazohej në modelet më të mira evropiane. Ne kemi analizuar 16 modele evropiane. Të sigurohemi që të krijojmë diçka që nuk është një përbindësh por që funksionon për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Ndërkaq, Escobar tha se SHBA-ja përkrah një asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit.

Të pyetur se cila është mënyra përpara për të dyja palët, zyrtarët perëndimorë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë obligimet e tyre të dala nga dialogu.

Escobar tha se është e rëndësishme që të ketë zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve – të arritur në shkurt në Bruksel dhe më pas Aneksi për zbatimin e saj në mars në Ohër – përmes së cilit Serbia, veç tjerash, do të njihte simbolet e Kosovës dhe të drejtën e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, për Kosovën ai tha se është e rëndësishme që të nisë “menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit”.

Që të dy zyrtarët e cilësuan si “propozim serioz” draft-statutin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama propozoi për Asociacionin.

Rama deklaroi më 8 qershor, se u ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Ky diskutim vjen dy javë pasi Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë