Politike

Ervin Salianji, rekurs në Gjykatën e Lartë: Të pezullohet vendimi për një vit burg, sjell pasoja të rënda për të ardhmen politike (dokumenti i plotë)

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili prej 24 orësh po vuan dënimin me 1 vit burg në Fier, ka nisur betejën ligjore për tu liruar.

Avokatët e  Salianjit kane bërë rekurs vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë.

Avokati i Salianjit nënvizon në rekursin drejtuar Gjykatës së Lartë se kërkuesi Ervin Salianjji është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71 të Kushtetutës. E po ashtu, për shkak të Ligjit Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon edhe kandidimin e tij në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit. Në këtë kuptim, sipas avokatit, është e qartë se ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit penal sjell pasoja shumë të rënda për të dënuarin, i cili përveç kufizimit të lirisë, sjell edhe ndërprerjen e menjëhershme të karrierës së tij politike dhe pengon vijimin e kësaj karriere pas kryerjes së dënimit.

“Nga ana tjetër, për shkak se deputeti është përfaqësues i popullit, kjo sjell edhe ndërprerjen e përfaqësimit të qytetarëve të qarkut Korçë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kanë votuar dhe zgjedhur si përfaqësuesin e tyre deputetin Ervin Salianji në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Dënimi i një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë në detyrë, e veçanërisht dënimi sepse ka kryer një denoncim publik në përmbushje të funksionit të tij si deputet i Partisë Demokratike dhe në ushtrim të lirisë së shprehjes të garantuar Kushtetuta e Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën një rast të veçantë, e në këtë kuptim kjo kërkesë është në përputhje edhe me nenin 476, pika 1, gërma “ç”, të Kodit të Procedurës Penale”. Në të tilla kushte, thuhet në kërkesën e Salianjit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duhet të vendosë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të dënimit, “pasi provohet që ekzekutimi i këtij vendimi sjell pasoja shumë të rënda për deputetin Salianji dhe ndodhemi përpara një rasti të veçantë për shkak të cilësive të veçanta të kërkuesit”:

“Po ashtu, në zbatim të nenit 476, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka të drejtë të pezullojë ekzekutimin e vendimit gjer në shqyrtimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit”, thuhet në kërkesë.

Gjithashtu Salianji përmes përfaqësuesve ligjor të tij do të depozitojë në SPAK kallëzim ndaj ish-ministrit, Fatmir Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë