Nga Gazeta ‘Si’- Tre muaj para përfundimit të dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë për ‘dosjen Babale’, Ervin Salianji është liruar nga qelia.
Vendimi u dha sot në gjykatën e Fierit, ku trupa gjykuese vendosi në favor të lirimit me kusht të ish-deputetit të PD, pasi Shërbimi i Provës paraqiti një raport pozitiv ndërsa edhe prokuroria dha dakordësinë. I pranishëm në seancë ishte edhe vetë ish-deputeti.
Pas daljes nga gjykata, pas marrjes së vendimit të togave të zeza për lirimin e tij me kusht, ai foli shkurtimisht për mediat.
“Do të jem në konferencë në orën 17:00 në selinë e PD-së”, tha Ervin Salianji.
Më pas, i shoqëruar nga efektivët, iu drejtua furgonit të policisë.
Avokati i tij Ledio Braho shkurtimisht në një prononcim për mediat deklaroi se më në fund pati një element drejtësie për Salianjin, duke shtuar se sipas procedurave, lirohet brenda ditës.
“Më në në fund pati një element minimal drejtësie për te. I gjithë procesi sipas mendimit tim është krejtësisht i padrejtë, ishte dënim politik por sot arritëm të shkurtonim më pak se dy muaj e gjysmë nga dënimi i mbetur. Procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditës së sotme. Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë për interesin publik“, u shpreh Braho.
Salianji ndodhej i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar.
Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Ai e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.
Ervin Salianji u dënua për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Por, nga hetimet e rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



