Politike

Ervin Salianji, akuza për manipulim të shortit për rekursin. Reagon Gjykata e Lartë: Pse u ndryshua gjyqtari

Gazeta Si – Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, pretendon se në Gjykatën e Lartë është manipuluar shorti me qëllim që të vonohet shqyrtimi i rekursit të çështjes ndaj tij, duke ndryshuar relatorin sipas tij, nga gjyqtarja Albana Boksi, te Sokol Binaj.

Kjo lëvizje sipas Salianjit, vjen pasi u manipuluan fakte kundër tij dhe pasi u vonua zbardhja e vendimit për të penguar rekursin në Gjykatën e lartë.

Ish-deputeti, i cili mbahet në burg prej 26 shtatorit 2024, ku po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babalja”, u shpreh se po bëhet çmos që  të qëndrojë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik.

“Tani, vazhdojnë me shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë por në Gjykatën e Lartë! Është e qartë. Ky nuk është proces, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore! Qëllimi nuk fshihet më. Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj! Ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa. Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë! Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen”, – shkruan Salianji në rrjetet sociale.

Por, Gjykata e Lartë, në një reagim për mediat pasditen e kësaj të hëne, ka shpjeguar situatën ligjore pas akuzave të Salianjit dhe krerëve të PD, lidhur me shortin e caktimit të relatorit, që do të shqyrtojë rekursin e ish-deputetit demokrat.

Fillimisht shorti ka caktuar gjyqtaren Albana Boksi, por më pas çështja i është kaluar Sokol Binajt.

Gjykata e Lartë sqaron se Binaj kishte qenë relator edhe i ankimimit nga Salianji lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, kërkesë e cila u rrëzua dhe sipas ligjit nuk mund të jenë dy gjyqtarë të ndryshëm si relatorë.

Fillimisht Gjykata e Lartë sqaron se gjyqtari relator zgjidhet automatikisht përmes sistemit ICMIS dhe për çështjen e Salianjit sistemi ka përzgjedhur gjyqtaren relatore Albana Boksi.

Por, më pas çështja i ka kaluar relatorit Sokol Binaj, pas një urdhri të Kancelarit të Gjykatës së Lartë, pasi ai ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të lidhur.

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, arrestua më 27 shtator 2024, pasi Gjykata e Apelit e shpalli fajtor për “kallëzim të rremë” lidhur me për audio-përgjimin e dosjes “Babalja”.

Në audio përgjim, pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë