Nga Gazeta Si – Në tunelin 25 metra të gjatë në muzeun “Shtëpia me gjethe” artisti Oltsen Gripshi shpërfaq përmes pikturës, videos e instalacionit vuajtjet e komunizmit.
Me anë të ekspozitës “Errësirë”, Gripshi sjell më afër për publikun “errësirën” e terrorit komunist, të të gjithë atyre që e jetuan nën lëkurë vuajtjen.
Përpos fotografive, 70 kanotiere qëndrojnë të varura në tunel, në kujtim të atyre që s’ia dolën, duke na përballur me sagën e krimeve të komunizmit.
Artisti Oltsen Gripshi thotë për Gazetën “Si” se ekspozita vjen si një rrëfim vetjak, familjar, por jo vetëm, pasi shtrirja e sistemit diktatorial ishte aq e gjerë.
“Lidhet me familjen time të persekutuar, por mesazhi është edhe më i madh sepse ka të bëjë me një frymë universale, që ky sistem preku të gjithë Europën Lindore dhe pasojat e të cilit ndihen ende sot”, shprehet Gripshi për Gazetën “Si”.
Sipas tij, njohja me errësirën vjen edhe si një mënyrë për të nxitur dëshirën për të dalë nga ajo.
“Errësira është zbrazëtia, ku qenia njerëzore shkëputet nga ekzistenca fizike, aq sa brenda saj ajo humbet orientimin në kapërcyell midis dy përmasave: reales dhe metafizikes”, vijon artisti.
Ekspozita përbëhet nga 17 fotografi të familjes së tij, portrete të prindërve, vajzës apo bashkëshortes, por këto imazhe vijnë të shpërbëra, ku dallohen shenja torturash, rrudhat e atyre që brenda burgjeve të komunizmit numëronin vitet që kalonin, e atyre jashtë, që në ‘burgun’ e madh të komunizmit nuk mundën të jetonin të lirë.
“Vendosja e qenies njerëzore përballë errësirës (përballë gërmadhës që la pas regjimi komunist), do të zbulonte portrete njerëzore ‘të deformuara’ nga një jetë e jetuar plot dhimbje fizike, trauma psikike, intriga dhe përgjime gjatë regjimit komunist në Shqipëri”, shprehet artisti për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “errësira është ajo që i përbashkon të gjithë elementët e ekspozitës”.
Në kontrast me fotografitë bardhezi shfaqet imazhi i së bijës në ngjyra, si ftesë që pas katarsisit të memories, ka ende shpresë për fillim të ri.
Duke e cilësuar si një ekspozitë që fton në reflektim të gjitha moshat, artisti thotë se arti ka fuqinë të sfidojë sisteme.
“Qëllimi im ishte që kjo ekspozitë të mbahej në një mjedis atipik, pasi ky mjedis ironizon dhe muzealizon më së miri të shkuarën. Dhe mesazhi i fortë është që vërtet ne kemi qenë pjesë e atij regjimi dhe vuajtjeve gati çnjerëzore, por arti ka qëllim të sfidojë sisteme, kohëra dhe nëpërmjet vetëpastrimit të japë pikërisht mesazhin e lirisë”, përfundon artisti për Gazetën “Si”.
Ekspozita si himn për të përshpirtshmen, për të shkuarën e për shpluhurosjen e saj, ka një dritë në fund, atë të shpresës për ritakim me ata që humbën padrejtësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.