Muzike

Ermonela Jaho vjen sërish në Opera për masterclass, këtë herë studentët pa pagesë

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, është kthyer sërish në Teatrin e Operës dhe Baletit për të mbajtur masterclass (klasa ku ajo jep eksperiencën e vet studentëve dhe pedagogëve rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, trajnimeve specifike të stilit) për të rinjtë.

Prej ditës së djeshme (2 tetor) deri më 5 tetor, artistët e rinj të moshës 18-30 vjeç, do të kenë mundësinë të trajnohen, kësaj here, plotësisht pa pagesë.

Këtë sezon janë regjistruar 22 pjesëmarrës efektivë dhe 17 dëgjues.

“Do përpiqemi të mësojmë nga njëri-tjetri dhe nuk është thjesht një shprehje, por i japim energji njëri-tjetri dhe ndjej që kam shumë për të mësuar edhe unë prej jush”, u thotë sopranoja Ermonela Jaho pjesëmarrësve në këtë masterclass.

“Një shkollë e gjallë jo vetëm profesionale, por edhe jete; me një modesti të rrallë, që nga njëri sukses në tjetrin, nga një udhëtim në tjetrin ka vullnetin për të dhënë kontributin e saj në vendin e lindjes, duke shpërndarë energji pozitive dhe mesazhe shprese”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti për prezencën e sopranos Ermonela Jahos për masterclassin e radhës.

Artistja që mbretëron skenat ndërkombëtare të Operas, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, ishte edhe në prill në Teatrin e Operas në Tiranë për Akademinë Teatrale, por ndonëse emri i saj mbush sallat e shfaqjeve e masterklaseve kudo, në Shqipëri ajo u zhgënjye.

Vetëm 12 artistë të rinj (11 prej tyre të huaj) do të bëheshin pjesë e masterclassit me Ermonela Jahon.

“Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, do të shprehej ndër të tjera sopranoja Ermonela Jaho për eksperiencën e këtij viti në Akademinë Teatrale në Shqipëri.

Pas deklaratës së sopranos Ermonela Jaho se erdhi për masterclass, por nuk gjeti as studentë as pedagogë, pati reagime nga artistë të ndryshëm, të cilët e konsideruan rastin në fjalë dëshpërues.

Ky vit ishte viti i parë që u krijua Akademia Teatrale në Shqipëri, por Opera synon që ta kthejë në traditë, ndërsa masterclasset janë bërë edhe më herët nga sopranoja Ermonela Jaho në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë