Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet e ardhshme, ka denoncuar publikisht kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni.
Sipas Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
Pacaj theksoi se përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, kandidati i PD po përpiqet sipas tij të intimidojë qytetarët dhe të përhapë një frymë tensioni në komunitetin e Lezhës.
Gjithashtu, Pacaj bëri publik edhe një tjetër incident të rëndë, ku sipas tij persona të armatosur janë futur në ambientet e lokalit të babait të kandidates së PS, Klotilda Ndreca, me porosi të Gjonit dhe kanë kërcënuar familjarët se do të merren peng.
Policia njoftoi se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin familjarët e Ndrecës ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet.

Policia konfirmoi se dy persona janë shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Dajç të Lezhës.
Personat e shpallur në kërkim janë Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




