Të premten, më 17 shtator, këngëtari Ermal Meta do të sjellë një festë të madhe në stadiumin e ri ‘Air Albania’ me muzikë live për të kremtuar rilindjen e për të përkujtuar 30-vjetorin e rënies së regjimit në Shqipëri dhe fitimin e lirisë.
Në një konferencë për shtyp një ditë para koncertit, ku të pranishëm ishin kryebashkiaku Veliaj, ambasadori italian në Tiranë, Fabrizzio Bucci dhe presidenti i FSHF, Armando Duka, këngëtari Meta shprehet se ky është koncerti i parë i një turi që do zhvillojë edhe në Itali.
“Është një nder shumë i madh. Kam bërë shumë koncerte në gjithë jetën time, por sa herë që vij këtu më duket hera e parë, më duket vetja si debutant. Do jetë koncerti i parë i një turi që dua të nis edhe në Itali, por doja ta filloja që këtu. Gjithë energjitë do i shkrij në skenë. E ndjej veten si një urë mes dy kulturave”, u shpreh këngëtari.
Kryebashkiaku Veliaj thotë se nuk mund të niste më mirë jeta artistike, sesa me shqiptarin që na bën krenar të gjithëve.
“Për t’u rikthyer, nuk mund të kishte një mik më të mirë për të filluar jetën artistike, se sa Ermal Meta, dhe nuk mund të kishte një urë më të mirë për të kujtuar 30-vjetorin e marrëdhënieve me Italinë. Këto 30 vjet raportesh me Italinë kanë qenë ndoshta historia më e bukur, e fqinjësisë”, u shpreh Veliaj.
“Këto 30 vite janë vite që shënojnë kthimin e Shqipërisë dhe lidhjen e Shqipërisë, me Europën. Gjatë këtyre 30 viteve Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht, jemi vende speciale për njëri-tjetrin. Lidhjen e këtyre vendeve duam ta festojmë edhe me koncertin e Ermal Metës”, u shpreh ambasadori italian në Tiranë.
Armando Duka, teksa i dhuron fanellën e Kombëtares së futbollit me mbishkrimin Meta, thotë se nesër me këtë ‘futbollist’ do bëjmë gol shumë të bukur.
“Me futbollistin që kemi në dispozicion do bëjmë gol shumë të bukur. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij aktiviteti me një yll si Ermal Meta në yllin e arkitekturës italo-shqiptare, stadiumin Air Albania”, u shpreh Armando Duka, ndërsa shton se është hera e parë që ne bëjmë një koncert në stadiumin e ri.
Lidhur me detajet e koncertit, Meta e lë çdo gjë surprizë. Sipas tij, koncerti duhet përjetuar.
“Për detajet e koncertit nuk di të përgjigjem, edhe unë vetë nuk e di, duhet përjetuar. Unë nuk bëj kurrë të njëjtën gjë në skenë, do jetë surprizë edhe për mua”.
I pyetur nga Gazeta Si për fillimet e muzikës në Itali, këngëtari thotë se muzika për të ka dashur këmbëngulje: “sa më shumë të m’i vësh shpatullat pas muri, aq më keq është reaksioni im”.
“Të gjithë më thoshin, mbaje muzikën si hobi. Një mësuesja ime do të më thoshte: më kapi tekstin dhe më tha ‘ç’ke me muzikën ti, ti lëre muzikën’. Sa herë më thoshin mua kështu, unë më shumë ngulja këmbë. Sa më shumë të m’i vësh shpatullat pas muri, aq më keq është reaksioni im”.
Nesër për publikun kryeqytetas në shkallët e stadiumit do të vijnë tingujt e këngëve të Albumit Tribù Urbana. “Tribu urbana”, doli në treg nga data 12 mars 2021. Në album përfshihen njëmbëdhjetë këngë, ndërmjet tyre edhe “Një milion gjëra për të të thënë”, me të cilën u paraqit në skenën e Teatrit Ariston.
Koncerti në stadiumin Air Albania do të nisë në orën 19:00 më 17 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.