Mbrëmjen e së premtes qielli i Tiranës ndriçoi nga tingujt, duar të ngritura njëherazi lart e zemrat “peshë” të publikut.
Nën tingujt e muzikës, për më shumë se 2 orë këngëtari i madh Ermal Meta me zërin e tij shpërthyes ndezi stadiumin e “Air Albania”.
Koncerti nisi me zërin potent të Elhaida Danit, më pas e gjithë skena iu la këngëtarit shqiptar të njohur botërisht, Ermal Meta.
Menjëherë sapo u ngjit në skenë, publiku e mirëpriti me ovacione e duke kërcyer në ritmet e mrekullueshme të muzikës që vetëm ai di të përçojë tek fansat e adhuruesit e shumtë që kishin mbushur shkallët e stadiumit.
Përveç stolave të stadiumit, për shkak të numrit të madh të personave që po shijonin koncertin, në qendër të tij në një vendosje harmonike ishin vendosur edhe karrige.
Ai e nisi koncertin me këngët e tij që e kanë bërë të njohur në gjithë Italinë, duke dhuruar emocione pafund për të pranishmit. Gjatë performancës së tij nuk mungoi as kënga “Un millione cose di dirti”, kënga garuese në Sanremon e këtij viti. Momente emocionuese fali edhe “Non mi avete fatto niente”, këngë me të cilën do të fitonte San Remon tri vite më parë.
Këtë këngë ai e lidh me rrugëtimin e tij dhe jep një mesazh të fortë për gjithë publikun. “Nuk do jem kurrë në ajër e nuk do jem kurrë në tokë, nganjëherë do fluturojmë e nganjëherë do jemi në tokë. E rëndësishme është që të mos rrimë gjithë kohë në tokë. E ardhmja është në duart tona. Mendimet tona bëhen veprime”, u shpreh ai dhe nisi të këndonte.
Gjatë gjithë mbrëmjes, këngëtari u bë njësh me publikun ku përshëndetjet dhe zbritjet nga tribuna ishin të shpeshta, duke kërcyer në ritmet e muzikës bashkë me fansat e duke përcjellë energji dhe elektrizim në stadiumin e ri. E teksa dëgjoje nga afër këngëtarin, ndihej edhe lidhja e tij e ngushtë me vendin e origjinës.
Koncerti arriti pikën kulminante në momentin kur këngëtari këndoi në shqip. I veshur me fanellën e Kombëtares ku mbante numrin 10 dhe emrin META të shkruar nga pas, muzikën shqiptare ai zgjodhi ta përcillte përmes këngës “Jon” të Ardit Gjebreas, me të cilin vetë këngëtari tha se e identifikon jetën e tij dhe largimin nga vendi i lindjes.
“Kanë ndodhur shumë gjëra vitet e fundit dhe lidhja e midis Italisë dhe Shqipërisë, dy vende të ndara nga vetëm 70 kilometra det, është e me të vërtet e bukur”, u shpreh ai.
Pjesë e repertorit të tij ishte dhe kënga me titull “Invisibli”, (të padukshmit). Për këngëtarin kjo është kënga më e rëndësishme e tij, sidomos e këtij sezoni.
“’Invisibili’ ka qenë shumë e rëndësishme për mua këtë sezon sepse shpesh jam ndjerë i tillë”.
Në fund, Ermal Meta nuk fsheh as emocionet e këtij koncerti.
“Është ndër koncertet më të bukura që kam realizuar, faleminderit për emocionet e bukura”.
Kanë kaluar plot 30 vjet nga eksodi, momenti ku shumë shqiptarë lanë vendin e tyre për të filluar një jetë të re në Itali, në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe këngëtari i madh Ermal Meta si një histori suksesi i atij eksodi e përkujtoi fitimin e lirisë me festë e muzikë, duke bërë që në natën e 17 shtatorit të lëvizë ajri, jeta, zemrat e publikut dhe të oshëtijë zëri nga shkallët e Stadiumit “Air Albania”…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.