Gazeta Si – Hetimi i SPAK për dosjen “Veliaj” pritet të çojë një total prej gati 30 të pandehurish, persona fizikë dhe shoqëri tregtare.
Prokuroria e Posaçme i komunikoi këtë të mërkurë 23 korrik, 4 akuzat zyrtare kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duke i marrë të pandehur.
Në burgun e Durrësit, prokurorët e SPAK i komunikuan Veliajt akuzat për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë” dhe “futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”.
E pandehur nga SPAK është marrë edhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, të cilën e akuzon për intimidim të dëshmitarëve, duke ngritur ndaj saj akuzën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Bushka thirri në zyrat e Avokatit të Popullit dëshmitaren Ina Goxhaj, të cilës iu mor telefoni dhe iu kërkua të mos fliste.
Në dosjen e SPAK thuhet se takimi i parë mes Klotiilda Bushkës dhe Ina Goxhajt është bërë në banesën e kësaj të fundit në zonën e Shkollës së Kuqe.
Goxhaj ka treguar në dëshminë e saj se Klotilda Bushka, të cilën e ka kushërirë, e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka kur të merrej në pyetje.
SPAK i ka komunikuar akuzë edhe punonjësit të policisë së Burgjeve, Fatjon Baci, që i dha telefonin Veliajt teksa e shoqëronte nga paraburgimi i Durrësit në Apelin e Posaçëm. Polici është marrë i pandehur për “futje të sendeve të palejuara në ambientet e ekzekutimit të vendimeve penale”.
Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzat edhe bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxës. Njëkohësisht SPAK ka zgjatur afatin e hetimit deri në 29 shtator.
Po ashtu, biznesmenit Gentian Sula iu komunikua akuza e “korrupsion pasiv”, ndërsa po hetohet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Për llogari të dosjes “Veliaj”, SPAK i ka komunikuar akuzë edhe biznesmenit Mirton Lika, i cili akuzohet për “fshehje të ardhurash”.
Sipas hetimeve, rezulton se Mirton Lika, bashkëpronar i “Sky Tower” i ka dhënë një zyrë bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxës me kontratë hua përdorje, për të cilën SPAK e dyshon si veprimtari të paligjshme.
Bëhet fjalë për një zyrë në godinën shumëkatëshe në qendër të Tiranës, ku para disa muajsh u ushtruan kontrolle nga agjentët e BKH-së. Xoxa në këtë godinë zotëronte disa zyra për aktivitete të saj nga galeria private “Harabel”.
Në total, SPAK ka marrë të pandehur 30 persona dhe shoqëri fizike. Përveç Veliajt e Bushkës, janë marrë të pandehur edhe Ina Goxhaj, Flutur Xhani, Valmir Xoxa, Erald Simixhiu, (daja i Ajola Xoxës), Elman Abule, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu dhe Frosina Bollo.
Komunikimi i akuzave ndryshon statusin juridik të kryebashkiakut, nga person nën hetim në të pandehur.
Që prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku Erion Veliaj mbahet në qelinë e paraburgimit pasi SPAK argumenton se lënia e tij në një masë tjetër sigurie mund të përbëjë rrezik për prishjen e provave të hetimeve që po kryhen ndaj tij, Ajola Xoxës dhe 6 biznesmenëve të tjerë që kanë përfituar tendera nga bashkia e Tiranës.
Dyshimet e SPAK janë se Veliaj në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, kishte ngritur një skemë të përvetësimit të fondeve publike të bashkisë Tiranë nëpërmjet së cilës kompanitë që fitonin tendera nga bashkia, kryenin pagesa për qendrën jofitimprurëse “Harabel” të Ajola Xoxës. GJKKO ka sekuestruar edhe disa prona në Qerret dhe Kodrën e Diellit që dyshohet se janë të Veliajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



