Drejtësia

Erion Veliaj zyrtarisht i pandehur nga SPAK, të mërkurën kryebashkiakut i komunikohen akuzat

Gazeta Si – Pas 5 muajsh në paraburgim, SPAK do t’i komunikojë zyrtarisht akuzat kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i dyshuar për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Sipas fletëthirrjes së SPAK-ut, Erion Veliaj dhe avokatët e tij duhet të paraqiten të mërkurën e datës 23 korrik, në orën 11:00.

E pandehur është marrë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Gjithashtu në kuadër të hetimeve për kryebashkiakun, është marrë i pandehur edhe biznesmeni Eman Abule, i akuzuar për pastrim parash, ndaj të cilit Apeli i GJKKO ka caktuar më herët masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata e Lartë shuajti shpresat e Veliajt për lirimin nga qelia, ndërsa kryebashkiaku prej muajsh mbahet i arrestuar nën akuzat e veprave penale “pastrim parash”, “korrupsion pasiv në 9 raste” dhe “fshehje të pasurisë”.

GJKKO madje ka lënë në fuqi disa prona të sekuestruara, të cilat dyshohet se ishin “de facto” të Veliajt edhe pse përdoreshin nga persona të tjerë.

Sipas SPAK, pjesë e skemës së ngritur nga Veliaj për përvetësimin e fondeve publike nga Bashkia e Tiranës, dyshohet të jenë edhe biznesmenë, të cilët përfitonin nga tenderët e bashkisë dhe kryenin pagesa të ndryshme tek qendra “Harabel” në pronësi të Ajola Xoxës.

Aktualisht biznesmeni Elman Abule po hetohet nën “arrest shtëpie”, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha po hetohen nën masën “detyrim paraqitje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë