Gazeta Si – Gjyqi me dyer të mbyllura ndaj kryebashkiakut Erion Veliajt, u shty sërish.
Seanca në Apelin e GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj u mbyll pas tre orësh. Shpallja e vendimit do bëhet nesër(13 mars) në 10:00.
Ndërkohë, Veliaj kërkoi që seanca të bëhet e hapur për mediat që të deklarojë publikisht përgjimet që ai pretendon se janë bërë ndaj tij gjatë kohës së qëndrimit në paraburgimin e Durrësit.
Veliaj kundërshtoi pretendimet e prokurorëve, ndërsa burimet thonë se ka deklaruar para trupës gjykuese se nuk ka asnjë sekret në bisedat e telefonike me familjarët e mi nga kabina burgut.
“Keni sjellë ‘prova të reja’, kërkoj të sillni kamerat dhe kjo seancë të jetë e hapur për median. Silllni mediat që t’i deklaroj publikisht edhe para tyre përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk kam asnjë sekret në bisedat e telefonike me familjarët e mi nga kabina burgut. Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit “prova të reja. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, ka thënë Veliaj.
Veliaj tha se është mbajtur për një muaj në izolim që të gjendet provat e reja, ndërsa solli në vëmendje edhe deklaratat e Sali Berishës i cili ka kërcënuar hapur SPAK e prokurorët, duke i quajtur organizatë kriminale.
“Por çfarë i ndodhi Saliut?”, ka pyetur Veliaj në sallë, duke thënë se sulmet e Berishës nuk u konsideruan prova të reja.



Avokatët mbrojtës të Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani kanë kërkuar masë më të butë sigurie për Veliajn kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat.
Ata gjithashtu i kërkuan Gjykatës së Apelit lirinë me garanci pasurore. Lirinë kërkoi edhe biznesmeni Elman Abule, i arrestuar bashkë me Veliajn për dyshimet se është përfshirë në korrupsion.
Masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” e kundërshtuan edhe avokatët e 3 biznesmenëve të tjerë, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha dhe Gentian Sula, të vënë nën hetim për korrupsion.
Gjyqtari Engert Pëllumbi nuk pranoi gjatë seancës së të martës as kërkesën që si vëzhgues në këtë seancë, të qëndronte avokati amerikan Joshua Roberts, i pajtuar nga kryebashkiaku.
Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO.
Ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ndërkohë prej 1 muaji tashmë, Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.