Drejtësia

Erion Veliaj kërkon lirinë, Apeli i Posaçëm vendos më 11 mars për kryebashkiakun

Gazeta Si – Apeli i Posaçëm i GJKKO do të shqyrtojë në 11 mars kërkesën kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u liruar nga qelia dhe për një masë më të butë sigurie pas arrestimit rreth 3 javë më parë, ku SPAK e akuzon për korrupsion dhe pastrim parash.

Më herët, mbrojtja e kryebashkiakut ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme.

Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi i cili njihet si gjyqtari që dënoi me 3 vite e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në shkurt të vitit 2022 nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Pëllumbi gjithashtu është gjyqtari që i riktheu Sali Berishës masën “detyrim paraqitje” pasi SPAK kishte kërkuar rikthimin e arrestit shtëpiak ndaj kryedemokratit për aferën “Partizani’.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aktualisht po mbahet në ambientet e paraburgimit në Durrës, burg ku u dërgua një ditë pasi SPAK i relatoi faktet dhe provat në seancën për vlerësimin e masës.

Veliaj ka qenë i përditshëm me reagimet e tij nga burgu të cilat postohen në rrjetin social ‘facebook’ nga ku akuzon vazhdimisht prokurorin e çështjes së tij dhe gjyqtarin Erjon Bani si të nxitur politikisht nga PD për të caktuar këtë masë sigurie ndaj tij.

Në ditët e fundit, kryebashkiaku ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave të hetimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë