Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e marrë nga qeveria më 25 shtator për shkarkimin e tij nga detyra pas votimit me shumicë votash në këshillin bashkiak.
Ndërkohë, brenda pak orësh, Sonila Bejtja është cakuar nga shorti si gjyqtarja relatore që do të shqyrtojë ankimin e Veliajt në Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë për ta shkarkuar nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese, avokatët e Veliajt pretendojnë se mungesa e tij në krye të Bashkisë së Tiranës nuk mund të konsiderohet shkelje e rëndë në rastin kur ai gjendet në rrethana të jashtëzakonshme dhe e ka të pamundur të jetë i pranishëm në zyrë.
Sipas argumentimit të bërë nga avokatët e Veliajt, shkarkimi është antikushtetues për shkak se nuk është provuar shkelja e rëndë dhe se për të vepruar mbi shkarkimin, duhej zbatuar neni 115 i Kushtetutës që qëndron mbi çdo ligj. Më tej, prezumohet se nëse një qasje e tillë e qeverisë pranohet, atëherë rrezikohet autonomia vendore.
“Nëse kjo qasje do të pranohej, do të krijohej një precedent i rrezikshëm: çdo dispozitë ligjore e ardhur më pas, në vend që të zbatohej në përputhje me Kushtetutën, mund të përdorej si bazë për të anashkaluar ose relativizuar dispozitat kushtetuese. Kjo do të zhdukte funksionin e Kushtetutës si akt suprem, duke e shndërruar atë në një dokument deklarativ pa fuqi reale kufizuese mbi pushtetet. Një situatë e tillë do të rrënonte jo vetëm parimin e shtetit të së drejtës, por edhe garancitë e vetëqeverisjes vendore, sepse mandati i zgjedhur nuk do të ishte më i mbrojtur nga Kushtetuta, por i varur nga interpretimet e rastit të një ligji të zakonshëm ose të një akti të ekzekutivit. Në jurisprudencën kushtetuese është theksuar se parimi i shtetit të së drejtës i detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese”- thuhet mes të tjerash në kërkesen e dorëzuar të avokatëve të Veliajt.
Në ankimin e Veliajt, thuhet se se Neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë Nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të pasi çdo vendim i marrë pa shkelje të provuar, sipas tij bie ndesh me Kushtetutën.
“Në rastin konkret, kërkuesi nuk është përballur me një mungesë të tillë të zgjedhur në mënyrë të vullnetshme prej tij, por me një gjendje objektive të imponuar prej një mase sigurimi personale, të vendosur nga gjykata. Paraburgimi, si një masë e përkohshme e procedurës penale, nuk është provë faji, nuk është sanksion dhe nuk është tregues i një qëndrimi të pakujdesshëm apo të paligjshëm të funksionarit publik. Përkundrazi, është një situatë e jashtme, e pavarur nga vullneti i tij, e cila e pengoi të ushtrojë personalisht funksionet, por që nuk e bëri detyrën bosh: në përputhje me nenin 64, gërma ‘e’ të ligjit nr. 139/2015, ai kishte caktuar nënkryetarin e bashkisë për të ushtruar kompetencat e tij, duke garantuar kështu vijimësinë e shërbimit publik dhe moslënien e institucionit në vakum. Pra, edhe në këtë aspekt praktik, nuk u krijua ajo pasojë e rëndë për qytetarët dhe institucionin që ligji ka dashur të parandalojë kur ka sanksionuar mungesën tre-mujore. Duke e trajtuar këtë pamundësi objektive sikur të ishte mungesë e vullnetshme, Këshilli i Ministrave e ka zgjeruar fushën e nenit 62 përtej asaj që Kushtetuta lejon.”, thuhet në kërkesën e Veliajt drejtuar Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese hedh shortin çdo dy javë, përgjithësisht të premten. Sipas rregullit, pasi hidhet shorti, çështja shkon në dhomë këshillimi nga 3 gjyqtarët që bëjnë verifikimin paraprak, nëse padia i plotëson apo jo kushtet ligjore.
Si rregull, Kushtetuesja duhet ta marrë në shqyrtim padinë brenda dy muajve dhe nuk dihet nëse ka short këtë të premte.
Shkarkimi i Veliajt u bë më 25 shtator me vendim të Këshillit të Ministrave, me argumentin se ai nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi i tij më 10 shkurt.
Sipas procedurës, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, Veliaj kishte afat 15 ditë për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, gjë që ai e ka bërë duke shprehur besimin se kjo gjykatë do të rivlerësojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore çështjen e shkarkimit.
Pas ankimit në Kushtetuese, tashmë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës do të mbeten pezull derisa organi më i lartë kushtetues të japë një vendim zyrtar mbi këtë çështje, nëse do ta marrë apo jo në shqyrtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



