Kosova

Erdogan takon Kurtin: E mirëpritur zbutja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Të arrihet progres konkret!

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur të premten një vizitë në Turqi, ku ka biseduar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Ky është takimi i dytë i Kurtit me Erdoganin në Turqi, pas atij në Stamboll në shkurt 2023.

Erdogan duke folur për raportet tregtare ka thënë se dy vendet kanë potencial për të zhvilluar marrëdhënie në shumë fusha, përfshirë në industrinë e mbrojtjes. Ai ka folur edhe për raportet Kosovë -Serbi duke konstatuar se ka zbutje.

“Është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje” thuhet në komunikatë.

Po ashtu Erdogan në takimin me Kurtin ka potencuar edhe “mbështetjen aktive që duhet t’i jepet Palestinës”.

Sipas komunikatës të premten, Kurti e falënderoi Turqinë për mbështetjen që ajo i ka dhënë Kosovës në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti…shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate”, thuhet në komunikatë.

Kurti do të marrë pjesë të hënën në forumin e parë ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili, sipas tij, do të jetë mundësi për thellimin e marrëdhënieve dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë