Politike

Vizita e Erdogan në Tiranë / Pas Begajt, pritet nga Rama në kryeministri (foto)

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti turk Erdogan pas largimit nga Presidenca, mbërriti në Kryeministri ku u prit nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Bashkë do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, ndërkohë që do ketë edhe një takim të nivelit të lartë mes dy delegacioneve.

Mësohet se pas takimit me Ramën do të nënshkruan disa marrëveshje mes Turqisë dhe Shqipërisë.

1. Deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë.

2. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri

3. Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.

Më herët Erdogan u prit nga Begaj me ceremoni zyrtare.

Ndërkohë në orën 16:50, Erdogan pritet që të inaugurojë Xhaminë e Namazgjasë në kryeqytet.

Agjenda parashikon që kreu i shtetit turk të largohet nga Shqipëria pasdite, ku më pas do t’i drejtohet Beogradit dhe do të zhvillojë disa takime.

"Mirë se erdhe në Tiranë", shkroi më herët ministri i jashtëm Igli Hasani në rrjetin social X krahas një fotoje duke pritur presidentin turk sëbashku me zv.kryeministren Belinda Balluku në Rinas.

Për mbarëvatjen e vizitës shtetërore të presidentit turk janë marrë masa sigurie. Në total mbi 700 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan.

Ndërkohë në çatitë e godinave pranë Xhamisë së Namazgjasë janë vendosur snajperistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë