Analize

Erdogan e ka Turqinë në “pëllëmbë të dorës”!

Fytyra e Rexhep Tajip Erdogan është stampuar në të gjitha bulevardet e Stambollit. Ai ka sunduar vendin e tij për 16 vjet rrjesht, duke u shpallur fitues zgjedhje pas zgjedhjeah, duke premtuar çdo herë se Turqia është në rrugën e rimarrjes së statusit të saj si një fuqi e madhe në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Qyteti më i madh i Turqisë është shtëpia e një sërë projektesh madhështore që kanalizojnë këtë vizion. Në tetor, qeveria planifikon të përfundojë punën për ndërtimin e aeroportit të tretë të Stambollit, i cili do të presë më shumë se 90 milionë pasagjerë në vit. Qeveria duket se e ka ndërtuar këtë projekt për të anashkaluar Urën e Bosforit, e cila lidh Detin Marmara me Detin e Zi, një projekt që do të kushtojë miliarda dollarë.

Turqia ndodhet tanimë disa ditë larg zgjedhjeve më të rëndësishme në historinë e saj moderne. Fituesi i garës presidenciale do të marrë një zyrë me fuqi të jashtëzakonshme, të miratuara në një referendum të mbajtur vitin e kaluar dhe të sundojë deri në vitin 2023.  Partia qeverisëse, Drejtësi dhe Zhvillim (AK), përballet me mundësinë e humbjes së shumicës në parlament, por Erdogan, i cili është pozicionuar tashmë si udhëheqës i botës myslimane, parashikohet të qendrojë në pallatin presidencial. Ai mbetet politikani më popullor dhe më i fuqishëm i Turqisë pavarësisht fuqizimit të papritur të opozitës.

"Ai është një udhëheqës me të vërtetë i madh- tha Rumeysa Kadak, një kandidate parlamentare e AK-së, e cila ka të ngjarë të bëhet deputetja më e re vendit- Ai sheh se ka dhimbje të mëdha në botë, por është lider mjaftueshëm i fortë për të thënë se bota është më e madhe se pesë anëtarët e përhershëm të këshillit të sigurimit të OKB-së.”

Sondazhet tregojnë një fitore të lehtë të Presidentit Erdogan, ndërkohë që Muharrem İnce, një mësues i fizikës dhe kandidati kryesor i opozitës laike, ka shumë të ngjarë ta sfidojë në raundin përfundimtar. Fushata e tij intensive ka bashkuar mijëra njerëz nëpër protesta në mbarë vendin.

Ndërkohë, Meral Akşener, kryetarja e një partie nacionaliste, ka bashkuar mijëra votues të rinj në përpjekjen e saj për të zmbrapsur Erdoganin. Nga ana tjetër, Selahattin Demirtaş, lideri karizmatik kurd, po drejton një fushatë presidenciale nga burgu i tij në Edirne. Të hënën, ai dha një fjalim të ri televiziv nga burgu që u bëri thirrje votuesve të refuzojnë regjimin e Erdogan. Megjithatë, presidenti Erdogan, i klasifikuar shpesh nga aktivistët e të drejtave të njeriut si një udhëheqës i fortë, i ngjashëm me Donald Trump, Vladimir Putin dhe Viktor Orban, ka të ngjarë të rizgjidhet. "Turqia e Madhe dëshiron një udhëheqës të fuqishëm”, shkruhet në posterat e tij të zgjedhjeve.

Fahrettin Altun, ekspert në Fondacionin për Hulumtime Ekonomike, Politike dhe Sociale, shprehen se votuesit besojnë se një Turqi e fuqishme mund të arrihet vetëm nga udhëheqja e Erdoganit dhe se ata besojnë se ai është simbol kryesor i Turqisë. Altun thekson se përpjekjet e liderëve të opozitës për të imituar Erdogan provuan se ai ishte përfaqësuesi më i mirë i shoqërisë turke. Premtimet e partisë AK për votuesit shpesh mbështeten në dy shtylla: rritja ekonomike dhe demokratizimi. Mbështetësit e presidentit e admirojnë devocionin e tij publik, kryesisht për shkak se i ka lejuar myslimanët e devotshëm që të jenë pjesë e shoqërisë së zakonshme pas dekadave të tëra fyerjesh dhe paragjykimesh nga ana e bashkatdhetarëve.

Megjithatë, ekonomia turke ka pësuar disa tronditje. Papunësia e të rinjve mbetet e lartë dhe vlera e lirës turke ka rënë ndjeshëm ndaj dollarit. Por imazhi i një lideri të fortë e ka lënë shumicën e votuesve të bindur se vetëm Erdogan mund ta udhëheqë Turqinë, duke vërtetuar se i ka votuesit turq në  “pëllëmbë të dorës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë