Nga Pierre Haski - Mbrëmja e të dielës së shkuar në Turqi, dominohej nga atmosfera e “Vjeshtës së Patriarkut”, sa për të huazuar titullin e romanit të famshëm të shkrimtarit kolumbian Gabriel García Márquez. Në këtë rast, “patriarku” është presidenti turk Recep Tajip Erdogan, i cili në moshën 70-vjeçare pësoi disfatën më të rëndë politike të karrierës së tij të gjatë.
Paradoksalisht, kjo humbje e rëndë në zgjedhjet lokale, erdhi vetëm 10 muaj pas fitores së zgjedhjeve presidenciale. Pas 2 dekadash në pushtet, rezultati i vitit 2023 tregoi se udhëheqësi i partisë islamiko-konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nuk duhet të hiqet shumë shpejt nga lista.
Megjithatë, humbja e kandidatëve të AKP-së të dielën e shkuar në Stamboll dhe Ankara, por edhe në shumë qytete të tjera turke, përfshirë bastionin e tyre në Anadoll, është edhe më domethënës për shkak të rolit të presidentit turk.
Në Stamboll, ku Erdogan bëri fushatë personalisht, kandidati i tij humbi me 10 për qind diferencë ndaj kryebashkiakut aktual, Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane (CHP). Dikur vetë kryetar i bashkisë së Stambollit, Erdogan kishte deklaruar në një rast se fitorja në këtë qytet ishte çelësi për fitoren e tij në zgjedhjet kombëtare.
Në këtë këndvështrim, kjo humbje është akoma më e hidhur. Sigurisht, këto ishin zgjedhje lokale jo kombëtare, dhe rëndësia e tyre nuk duhet të mbivlerësohet. Megjithatë, ato ofrojnë një shembull se si në një vend autoritar, pushteti mund të dobësohet ndjeshëm dhe në fund të bjerë.
Kundërshtarit të demokracisë po i lëkundet froni
Erdogan i përket kategorisë së “liderit të fortë”, pra atyre figurave që e dëmtojnë demokracinë dhe aqë përpiqen me te gjitha mjetet që reduktojnë atë sa më shumë. Gjatë 2 dekadave, ai ka sulmuar lirinë e shtypit dhe e ka penguar veprimtarinë e opozitës parlamentare.
Një nga drejtuesit kryesorë të saj, Selahattin Dermitas, ndodhet në burg që nga viti 2016. Po ashtu ai e spastroi nga kundërshtarët ushtrinë, gjyqësorin, sistemin arsimor; teksa e goditi fort shoqërinë civile. Filantropisti dhe aktivisti i njohur Osman Kavala, ndodhet në paraburgim prej 7 vjetësh.
E megjithatë, Erdogan mund të frenohet, siç ka ndodhur në zgjedhjet lokale që paralajmërojnë fundin e mbretërimit të tij. Edhe pse zyrtarisht i kanë mbetur edhe katër vjet të tjera në pushtet. Në këto zgjedhje ndikuan një sërë faktorësh.
E para është ekonomia, me një inflacion në nivelin 60 për qind, dhe gabimet e politikës së tij ekonomike. Një arsye tjetër, është konsumimi i pushtetit dhe korrupsioni që vjen bashkë me të. Në fakt, ne duhet të bëjmë një dallim midis një regjimi që është bërë diktatorial, siç është ai i presidentit rus Vladimir Putin , i cili përballet tani me zgjedhjet pa pasur as më të voglin rrezik (siç ishin zgjedhjet presidenciale të marsit); dhe regjimeve autoritare ose “jo-liberale” që lënë liri veprimi në arenën politike.
“Vjeshta” e pushtetit të Erdogan?
Polonia, e vënë nën kontroll nga partia ultra-konservatore e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS) në vitin 2015, ndoqi metodën e Erdogan, duke vendosur nën kontrollin e saj median dhe duke uzurpuar sistemin gjyqësor, veprime këto që supozohej të siguronin jetëgjatësinë e partisë në pushtet.
Por tetorin e vitit të kaluar, PiS u mund nga liberalët e udhëhequr nga ish-lideri evropian Donald Tusk. Vitin e kaluar në Brazil, ishte presidenti aktual i ekstremit të djathtë Jaïr Bolsonaro, ai që për shkak të qeverisjes shumë të dobët nuk arriti të rizgjidhej dhe humbi përballë Luiz Inácio Lula da Silva.
Ai madje tentoi edhe një grusht shteti për të mbetur president. Presioni ndërkombëtar - ashtu si presioni i Evropës ndaj Polonisë dje dhe ndaj Hungarisë sot - e ruan lirinë dhe demokracinë, e cila nga ana e saj e lë të hapur mundësinë e një alternimi të pushtetit.
Kjo është ndoshta ajo që shpall fitorja e partisë opozitare CHP në Turqi: Një“vjeshtë”, sa për të përdorur metaforën e Garcia Markezit, që parashikon fundin e mundshëm të pushtetit të Erdogan.
Burimi: World Crunch/ Përshtati: Gazeta Si
Shënim: Pierre Haski është gazetar francez, bashkëthemelues i Rue 89.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




