Bota

Erdogan ashpërson kritikat ndaj Izraelit: Shtet terrorist! Keni bombë bërthamore

Gazeta Si – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shtuar kritikat e tij ndaj Izraelit, duke e quajtur “shtet terrorist” që synon të shkatërrojë Gazën dhe banorët e saj.

Gjatë një fjalimi para partisë së tij, Erdogan po ashtu tha më 15 nëntor se Turqia do të ndërmarrë hapa për t’u siguruar që udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Izraelit të përballen me gjykime para gjykatave ndërkombëtare.

“Izraeli po zbaton strategjinë e shkatërrimit total të një qyteti dhe banorëve të tij”, tha Erdogan. “E them haptazi që Izraeli është shtet terrorist”, shtoi udhëheqësi turk.

Erdogan i ka përshkruar luftëtarët e Hamasit – grup palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si “luftëtarë të rezistencës” të cilët, sipas tij, po tentojnë të mbrojnë tokën dhe popullin e tyre.

Erdogan i bëri thirrje gjithashtu kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të tregojë nëse Izraeli ka bomba bërthamore apo jo.

“Unë po i bëj thirrje Netanjahut nga këtu: a keni një bombë atomike apo jo? Thuaje nëse guxon. Por ai nuk mundet. Izrael! Ti ke një bombë atomike, një bombë bërthamore dhe ju po kërcënoni me këtë. Ne i dimë këto. Dhe fundi juaj tani po vjen. Pa marrë parasysh nëse posedoni një bombë bërthamore, çfarëdo që të zotëroni, por ju jeni të rrënuar”.

Izraeli nuk e pranon publikisht se ka armë bërthamore edhe pse Federata e Shkencëtarëve Amerikanë vlerëson se Izraeli ka rreth 90 të tilla.

Turqia së fundmi kishte normalizuar raportet me Izraelin. Por, lufta Izrael-Hamas – që nisi në fillim të tetorit – në Gazë edhe një herë ka përkeqësuar raportet mes Turqisë dhe Izraelit.

Izraeli muajin e kaluar tërhoqi diplomatët nga Turqia, pasi Erdogan e akuzoi Izraelin për kryerje të krimeve të luftës. Turqia më pas tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë