Janë 30 milionë euro neto pagë për Lionel Mesin te PSG. Në pamje të parë duket një akord më i ulët se shifrat që kanë qarkulluar këto javë. Por, siç bën me dije e përditshmja “Equipe”, ylli argjentinas nga sezoni i ardhshëm do të kalojë në 40 milionë euro neto, falë një bonusi që do të përfitojë, nëse vendos të qëndrojë edhe sezonin e tretë në Paris.
Në total, Mesi do të përfitojë 110 milionë euro për tre sezone nga kontrata që ka firmosur me PSG-në. Këtu është e përfshirë edhe një kuotë në kriptomonedhë. Argjentinasi paguhet kështu sa Nejmar, i cili në pranverë rinovoi deri në vitin 2025.
Argjentinasi në gusht ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me opsionin edhe për një sezon tjetër të shtuar, deri në 2024-ën. Por, nëse braziliani, sipas dokumenteve të “Equipe” do të përfitojë më pak në të ardhmen, Mesit do t’i rritet paga në 30% që në qershor. Në kontratë është përfshirë edhe një klauzolë bensikërie prej 15 milionë eurosh, që e çojnënë 40 milionë pagën, duke përjashtuar bonuse të tjera individuale dhe të skuadrës.

Shpërblimi i besnikërisë është edhe në Spanjë. Në kontratën e Grizmanit te Barcelona, për shembull, ishte parashikuar një bonus prej 7 milionësh, duke nisur nga viti i tretë, që zbriste në 6.5 milionë për 2 vitet e tjera. Për Mesin PSG në Francë është treguar më bujare, duke i garantuar 2.5 milionë në muaj. Nga 30 milionët në sezon, argjentinasit do t’i jepet 1 milion në kriptomonedhë “Psg Fan Token”.
Janë para që janë të lidhura me sponsorin e ri “Crypto.com”, që derdh në arkat e PSG-së 30 milionë në sezon. Një shumë që është dyfishuar gjatë verës, falë ardhjes së Mesit në skuadër. Është një nga efektet e blerjes së ish-lojtarit të Barcelonës, prej të cilit është dyfishuar numri i fanellave të shitura.
Paga e Mesit sidoqoftë është gjysma e asaj që fituesi 6 herë i “Topit të Artë” fitonte deri në qershor te Barcelona. Mesi vendosi të transferohej në Paris për të nisur në moshën 34-vjeçare një kapitull të ri në karrierë, me objektivin për të fituar për herë të 5-të Ligën e Kampionëve, që i mungon që prej vitit 2015.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




