Filma

Epoka e re e horror-it në Hollywood

Nga Gazeta “Si” – Filmat horror gjithmonë kanë zënë një vend të veçantë në kulturën popullore dhe botën e kinemasë. Edhe pse kanë qenë tradicionalisht të suksesshëm në arkë dhe të mbështetur nga një audiencë besnike, horror-i ka qenë shpesh viktimë e stigmës kulturore. Kujtojmë fushatat kundër “video nasties” në vitet ’70-’80 ose kritikat ndaj dhunës në filmat “torture porn” të fillimviteve 2000.

Pavarësisht fitimeve të mëdha që nga vitet 1930, horror-i është parë për një kohë të gjatë si një zhanër “i ulët”, duke mbetur jashtë vëmendjes së kritikëve kryesorë, akademisë dhe trupave të çmimeve më prestigjioze.

Vetëm shtatë filma horror janë nominuar ndonjëherë për çmimin Oscar si filmi më i mirë dhe dy prej këtyre nominimeve kanë ardhur vetëm në dekadën e fundit. Mungesa e nominimit për Toni Collette në Hereditary (2018) nxiti një debat të gjerë për paragjykimin ndaj këtij zhanri.

Edhe kur horror-i arriti të depërtojë në qarqet elitare, si në rastin e filmave të studios së pavarur A24, ai vinte i paketuar si “horror autorësh”, i pranueshëm për publikun më të sofistikuar. Por viti 2025 po tregon një tjetër histori.

“The Substance”, “Nosferatu” dhe “Terrifier 3” kanë mbajtur ndezur debatin, duke përfaqësuar të gjitha format e horror-it  nga versionet e ngritura artistikisht deri tek prodhimet brutale të shkollës së vjetër.

“The Substance’ dhe “Nosferatu” të ashtuquajturit “horror i ngritur”, që fokusohen më shumë te atmosfera sesa te gjaku  triumfuan në skenën e çmimeve, duke mbledhur nominime të shumta në Oscar 2025. Së bashku me “Alien: Romulus”, horror-i mori gjithsej dhjetë nominime, performanca më e mirë që prej vitit 1974.

Në anën tjetër, “Terrifier 3” bëri histori si filmi i paklasifikuar më fitimprurës ndonjëherë. I ngarkuar me skena të dhunshme dhe të pamëshirshme, ky film ishte një sukses i madh në arkë, por nuk arriti të futet në garën për Oscar, megjithëse efektet e tij praktike dhe makijazhi u përmendën gjerësisht nga adhuruesit dhe profesionistët e industrisë.

Pse horror-i po fiton më në fund respektin?

Një arsye është se horror-i modern ka gjetur mënyra për të kapërcyer ndarjet klasike midis artit dhe kinemasë komerciale. “Horror-i i ngritur” arrin të përqendrohet në temat ekzistenciale dhe estetiken e kinemasë artistike, duke e bërë atë më të pranueshëm për kritikët tradicionalë.

Nga ana tjetër, horror-i ka qenë gjithmonë një reflektim i frikërave kolektive. Në një epokë të mbushur me paqëndrueshmëri politike, pandemi dhe kriza globale, ky zhanër është bërë më aktual se kurrë. Filmat horror i japin zë shqetësimeve të nënndërgjegjes sonë kolektive, duke përfaqësuar ankthet e kohës që jetojmë.

Në një kohë kur frekuentimi i kinemave është në rënie, horror-i mbetet ndër zhanret e pakta që arrijnë të mbushin sallat. Ngjarje si premiera e “Terrifier 3” janë kthyer në fenomene kulturore, duke provuar se, pavarësisht përbuzjes së dikurshme, horror-i është më i gjallë se kurrë.

Ndërsa industria e filmit lufton për të gjetur rrugë të reja për të mbajtur publikun të angazhuar, horror-i jo vetëm që mbijeton por po lulëzon dhe po kërkon me forcë vendin që i takon në panteonin e artit të shtatë.

Burimi: The conversation.com


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë