Gazeta Si – “Për mendimin tim, ajo që ndodhi nuk krahasohet me ato situata, kur futen në fushë lojtarë që nuk mund të luajnë”. Për të qartësuar gjithçka në lidhje me episodin e bujshëm të ndeshjes me Frajburgun, ku Bajerni luajti me 12 vetë për 17 sekonda, ka menduar arbitri Feliks Zvajer. Sipas tij, për bavarezët nuk do të ketë pasoja me humbje në tavolinë dhe as nuk do të përsëritet ndeshja.
Arbitri gjerman e argumenton mendimin e tij me faktin se ndikimi i asaj që ndodhi ishte zero, si në lojë, ashtu edhe në rezultat. “Një lojtar që qëndroi në fushë më shumë se duhej, por këto procerura janë të saktësuara në rregullat e futbollit, jo në statute të tjera, – shpjegoi Zvajer për “Aktuellen Sportstudio” të ZDF.

Një ndërrim nuk u bë në mënyrë të rregullt, sepse u sinjalizua një numër i gabuar në tabelë. Është përgjegjësi e arbitrave të bëjnë një ndërrim sipas rregullave. Kjo detyrë i besohet arbitrit të 4-t. Falë Zotit, lojtari nuk influencoi në lojë, as nuk e preku topin”.
Mes minutave 84’ dhe 85’, kur rezultati ishte 1-3, Bajerni aktivizoi njëkohësisht Sabitzer dhe Syle, në vend të Toliso dhe Koman. Ky i fundit nuk doli nga fusha për shkak të një gabimi në tabelë, ku ishte shënuar numri 29, numri i vjetër i francezit që tani nuk e ka askush, në vend që të shënohej numri 11.
Këtë gabim nuk e kuptoi arbitri Kristian Dingert, por mbrojtësi i Frajburgut, Niko Shloterbek, që pas ndeshjes u shpreh: “Pashë që Syle hyri në fushë, por nuk doli askush. Fola me lojtarët e Bajernit dhe pastaj sinjalizova arbitrin. Nëse nuk do të kisha folur, mendoj se Dingert nuk do të kishte kuptuar kurrë atë situatë”. Gjithsesi, për Bajernin nuk do të ketë pasoja kjo ngatërresë, sikurse u aludua menjëherë pas ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




