Nga Gazeta Si- Shqipëria përfshihet nga epidemia e gripit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendra për kontrollin e Sëmundjeve infektive në BE, (ECDC) thonë se aktualisht shifrat e larta të regjistruara në javën e 3 të muajit janar kanë kapërcyer pragun epidemik prej 19 mijë, që zyrtarisht tregon se jemi në një epidemi gripale.
Në raportin zyrtar që ISHP i dha Gazetasi.al, thuhet se numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme është në nivel të lartë.
“Piku i qarkullimit të gripit arrin në fund të muajit janar- mesi i muajit shkurt dhe vazhdon me një trend në rënie deri nga fundi i muajit mars. Aktualisht jemi në një situatë me intesitet të lartë të pritshme për stinën sipas të gjitha gjasave dhe parashikimeve epidemiologjike”, thuhet në raportin e ISHP-së, ku shtohet gjithashtu se në vend qarkullojnë viruset e gripit të tipit A, B, RSV dhe gjithashtu ka bashkëqarkullim të Covid-19.
“Gjithashtu si çdo vit qarkullojnë edhe viroza teë tjera respiratore veçanërisht tek foshnjat po në moshën pediatrike 0-15 vjeç”, thuhet në raportin e ISHP.
Edhe ECDC në raportin e saj për situatën epidemiologjike në vendet e Bashkimit Evropian dhe jashtë saj, konfirmon se në nivel BE/EEA, u arrit pragu i pozitivitetit të testit të kujdesit parësor të gripit prej 10% për fillimin e sezonit të gripit.
LEXO EDHE:
-Pritet piku i gripit, çfarë të hani për të mbrojtur sistemin imunitar nga infektimi
-Transmetueshmëria e gripit më e lartë këtë vit në Shqipëri, mjekja mikrobiologe shpjegon faktorët
-Gripi kulmon në javët e fundit të janarit, mjekët: Mbivendosja e viruseve shkakton komplikacione të rënda
“Pragu i pozitivitetit të testit të kujdesit parësor 10% të BE/EEA që sinjalizon fillimin e sezonit të gripit është arritur, me viruset e influencës A(H1N1), A(H3N2) dhe B që qarkullojnë bashkë. Ndikimi i gripit mund të jetë më i keq nëse dominon një nënkladë A(H3N2) që përputhet më pak me vaksinën e hemisferës veriore’, thuhet në raportin e ECDC për situatën epidemiologjike në rajonin e Evropës.
Sipas ECDC, që nga java 49 që përkon me fundin e muajit dhjetor 2024, rritje të mprehta gjatë javëve të fundit në treguesit e aktivitetit të virusit (pozitiviteti i testit nga survejimi ILI/ARI në kujdesin parësor dhe/ose zbulimet ose pozitiviteti i testit nga mbikëqyrja e bazuar në laborator jo-sentinel) tregojnë një rritje të shpejtë qarkullimi në komunitet i viruseve të gripit dhe RSV, duke prekur shumicën e vendeve që raportojnë të dhëna.
Shtrimet në spital për shkak të gripit janë vërejtur deri më sot në të gjitha grupmoshat, por individët e moshës 65 vjeç e lart priren të kenë rrezikun më të lartë të shtrimit në spital dhe rezultateve të rënda.
Tendencat e dy viteve të fundit sugjerojnë një kthim në një kohë më të rregullt të epidemive të gripit sezonal dhe RSV pas pandemisë COVID-19.
Fëmijët e moshës 0-4 vjeç, dhe veçanërisht foshnjat e vogla, kishin rrezikun më të lartë të shtrimit në spital për RSV. Kjo grupmoshë, e ndjekur nga ata të moshës 65 vjeç e lart, përbën respektivisht 83% dhe 11%, të pranimeve në SARI me RSV-pozitiv midis javëve 40-49, 2024.
Rreziku i mbivendosjes
Gripi aktual mbivendoset me praninë e vazhdueshme të viruseve të tjerë që prekin traktin respirator si virusi sincicial respirator, adenovirusi dhe Covid.
Sipas ekspertëve, është shumë e vështirë, thuajse e pamundur, të dallohen të treja vetëm në bazë të simptomave, pasi janë të ngjashme.
Në mënyrë tipike, pacientët ankohen për lodhje, të dridhura, dhimbje kockash dhe muskujsh, temperaturë të papritur, kollë, dhimbje të fytit, të ftohtë dhe dhimbje koke, si simptomat më të zakonshme të sëmundjeve infektive sezonale.
Nëse deri pak kohë më parë, humbja e papritur e shijes dhe erës mund të ishte tregues i një infeksioni COVID-19, sot kjo ndodh shumë rrallë.
ECDC rekomandon se shtetet anëtare duhet të përgatiten për rritje të vazhdueshme të aktivitetit të gripit dhe RSV gjatë javëve të ardhshme, dhe të marrin në konsideratë praktikat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit për të reduktuar transmetimin në mjediset e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë objektet e kujdesit afatgjatë.
Ata gjithashtu duhet të konsiderojnë rritjen e kapaciteteve të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor dhe sekondar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.