Nga Gazeta ‘SI’ – Ulja e çmimit të energjisë nga qeveria me 1 lek për kilovat/orë për Partinë Demokratke është një masë elektorale, e pamenduar dhe që, në thelb, përbën një mashtrim për qytetarët.
Një nga eskpertët më të mirë të PD-së, me përvojë të gjatë në këtë fushë, Eno Bozdo, në një intervistë për Gazeta ‘Si’, renditi pesë arsye pse masa e qeverisë për uljen e çmimit të energjisë është propagandë elektorale. Një prej tyre i referohet ndryshimit të çmimit në 2015-ën, të cilën PD e cilëson si rritjen më të madhe në 30 vite të çmimit të energjisë.
“Rama hoqi fashën prej 300kWh/muaj, nga e cila përfitonin 78% e familjeve shqiptare me çmim 7.7 lek/kwh dhe e rriti këtë çmim në 11.4 lek/kwh. Kjo masë solli rritjen e çmimit të energjisë me afro 40% për 78% të familjeve shqiptare, që i takonin shtresës ekonomike më vulnerabël.”- tha zoti Bozdo.
Në analizën e tij, Eno Bozdo përmend edhe rënien e vlerës së euros, monedhë më të ciën blihet energjia, si një arsye pse çmimi i energjisë duhej ulur më parë dhe më shumë. “Kemi një zhvlerësim të euros me rreth 40%, dmth sot ne blejmë energji rreth 40% me lirë. Mjafton ky fakt që çmimi i energjisë të ulet jo thjesht 10%, por 16%.”- tha Eno Bozdo në intervistën për Gazeta ‘Si‘, ku flet me shqetësim për gjendjen financiare të KESH dhe OSHEE, për keqmenxhim dhe korrupsion, fenomen që sipas tij, është nxitur prej kryeminstrit Rama dhe pengon kapjen e objektivit të Shqipërisë për të arritur një pavarësi të shpejtë energjitike.
“Nuk ka diskutim se i gjithe sektori i energjisë ka nevojë për një reformë tërësore, shumë të thellë, për të rritur meritokracinë dhe profesionalizmin, për të çrrënjosur korrupsionin dhe grabitjen, si dhe për t’i sjellë ndërmarrjet publike në nivele të pranueshme. Për këto arsye dhe disa të tjera shumë teknike, ne e konsiderojmë ‘“’uljen historike të çmimit të energjisë’”’, një mashtrim banal, që përdoret nga Rama për arsye thjesht elektorale, por që, në thelb, nuk sjell asgjë për këtë sektor kaq të rrënuar!”
Gazeta Si: Ulja e çmimit të energjisë me 1 lek për kilovat deri në masën 700 kilovat/orë është vendimi i duhur që i shërben qytetarëve?
Eno Bozdo: Në princip, ulja e çmimit të energjisë elektrike është një masë e mirëpritur. Në rastin konkret, është thjesht një masë propagandistike elektorale, që nuk sjell drejtësi në tarifimin e klientëve familjarë, por vetëm përdoret për të bërë propogandë elektorale. Ju siguroj që kjo përgjigje nuk është politike, por ka bazë të arsyeshme.
Së pari, në vitin 2015, Edi Rama bëri rritjen më të madhe të çmimeve të energjisë elektrike në 35 vitet e fundit. Ai hoqi fashën prej 300kwh/muaj, nga e cila përfitonin 78% e familjeve shqiptare me çmim 7.7 lek/kwh dhe e rriti këtë çmim në 11.4 lek/kwh. Në atë kohë, Partia Demokratike, me të drejtë, e kundërshtoi këtë masë, sepse, praktikisht, solli rritjen e çmimit të energjisë me afro 40% për 78% të familjeve shqiptare, që i takonin shtresës ekonomike më vulnerabël. Në të njëjtën kohë, u rrit ndjeshëm edhe çmimi për të gjitha kategoritë e bizneseve, ku disa kategori njohën rritje deri në 30%. Edi Rama, në këtë kohë, e justifikoi rritjen e çmimit me nevojën që OSHEE të mundësonte investimet e nevojshme për të reduktuar humbjet në sistem.
Së dyti, sipas vetë të dhënave të Rregullatorit, ERE, humbjet janë reduktuar prej disa vitesh në targetet e caktuara. Atëherë, përse duhet që çmimet të qendrojnë të larta përsëri?
Së treti, është e vërtetë që me këtë masë qytetarët përfitojnë rreth 30 milionë euro në vit, por në këtë 10 vjeçar, pikërisht, prej rritjes së çmimit të vitit 2015, OSHEE ka përfituar rreth 580 milionë euro në vit.
Së katërti, në dekadën e fundit, mesatarisht 40% e energjisë elektrike që vendi konsumon, importohet. Blerja e energjisë bëhet vetëm në euro. Në vitin 2015, kursi i këmbimit të lekut ka qenë 1 me 137, ndërsa sot është 1 me 98. Pra kemi një zhvlerësim të euros me rreth 40%, dmth sot ne blejmë energji rreth 40% me lirë. Mjafton ky fakt që çmimi i energjisë të ulet jo thjesht 10%, por 16%.
Së pesti, rreth 50% të çmimit që ne sot paguajmë si konsumatorë familjarë shkon për shpenzimet e OSHEE. Është nje shifër ekstremisht e lartë, që tregon korrupsionin, keqmanaxhimin, nepotizmin që ka kapur gjithë sistemin. Mund të themi se, pavarësisht rreth 1 miliardë euro që janë investuar zyrtarisht në sistemin e shpërndarjes, sot, në disa qytete, situata është edhe më problematike se ajo e vitit 2014.
Gazeta Si: Sipas të dhënave të qeverisë, nga masa e uljes së çmimit përfitojnë më shumë se 1 milionë abonentë. Nuk do të ishte mirë që PD ta përkrahte dhe nxiste më tej uljen?
Eno Bozdo: Në të vërtetë, ka një mashtrim të madh edhe këtu. Mjafton të përdorim disa statistika zyrtare ta veta ERE (Raportit Të Entit Regullator Të Energjisë Për Vitin 2023). Numri total i konsumatorëve (kontratave) në Shqipëri është 1.334.091. Nga këta, numri i konsumatorëve familjarë është 1.028.813 (77.1%) Këtu përfshihen dhe, minimalisht 220.000 konsumatorë me faturim zero (në total konsumatoret me faturim mujor zero pra shtëpi apo biznese të mbyllura janë 296.000), pra, konsumatorë familjarë me faturim energjie në Shqipëri janë rreth 800.000. Rama deklaroi se nga ulja e çmimit me 1 lek do të përfitojnë 1.070.000 konsumatorë familjarë. Edhe sikur të pranojmë se të gjithë konsumatorët familjarë të konsumojnë deri në 700 kwH në muaj, shifra e deklaruar nga Rama është fiktive dhe e rritur me 20%.
Gazeta Si: Cila është strategjia e PD-së për çmimin e energjisë elektrike? Keni ju në plan të bëni ndryshime dhe si?
Eno Bozdo: Kryetari i PD-së, Sali Berisha, prezantoi objektivin tonë për të patur çmimin më të uët të energjisë në Europë, si dhe iu referua disa çmimeve me fasha, por më lejoni, që më gjatë dhe me më shumë detaje të vlefshme të shpjegohem kur të paraqesim strategjinë e integruar për sektorin e energjisë, gjë e cila do të ndodhë shumë shpejt. Mund të them se strategjia jonë ka tre objektiva themelore: sigurinë energjetike, çrrënjosjen e korrupsionit dhe nepotizmit politik që PS ka shkaktuar në sistem dhe uljen e kostos së energjisë për të gjithë konsumatoret, familjarë dhe biznese.
Gazeta Si: Kur vendoset një prag për kufirin e pagesës me ulje, si 700 kilovat/orë në këtë rast, ose edhe fasha klasike, siç ka qenë gjatë qeverisjes së PD, ka rrezik për abuzime dhe vjedhje?
Eno Bozdo: Është përseri ironi të rikthehesh në kohë dhe të dëgjosh Ramën, i cili, në 2015-ën, e sulmoi fashën mbrojtëse 300 kwh në muaj si “strehë” për vjedhje dhe abuzim, ndërsa sot vendos përsëri një fashë të tillë. Në përgjigje të pyetjes suaj, ju them se nuk është fasha ajo që sjell korrupsionin, vjedhjen apo fenomene të ngjashme. Është menaxhimi dhe fryma e qeverisjes ajo që përbën shkaktarin e parë të këtyre fenomeneve.
Gazeta Si: Në analizën tuaj, pse u caktua KESH si institucioni që përgjigjet për koston shtesë prej 30 milionë euro dhe a është e aftë Koorporata të përballojë pa mbështetje buxhetore këtë kosto vjetore të uljes së çmimit të energjisë?
Eno Bozdo: Sepse, në krahasim me OSHEE, e cila është e shkatërruar financiarisht dhe manaxherialisht, KESH-i është përsëri lopa që milet për hir të hajdutërisë së qeverisjes së PS. Por, tashmë, edhe KESH ndodhet në vështirësi shumë të mëdha financiare. Mjafton të përmendim faktin se borxhi i ndërmarrjeve publike të sektorit ndaj njëri-tjetrit dhe palëve të treta është rreth 800 milionë euro, një shumë kjo mjaft më e lartë se ajo e vitit 2013.
Gazeta Si: Kryeministri Rama synon që Shqipëria të fitojë pavarësinë energjitike deri në vitin 2030 dhe paralelisht me burimet e reja, ka lajmëruar edhe investime të reja në rrjet. Është vendi në rrugën e duhur për përmbushjen e këtij objektivi?
Eno Bozdo: Do ta kishim fituar këtë pozicion prej një dekade, nëse Edi Rama nuk do të kishte shkatërruar sektorin për hir të parave të vjedhura dhe interesave elektoralë. Nëse do të kishim vazhduar me programin e Partisë Demokratike që në vitin 2013, me investime në energjinë e rinovueshme, me hapje dhe liberalizim të sektorit, sot Shqipëria do të ishte vend plotësisht eksportues.
Por ky është i njëjti kryeminister që ka toleruar në këtë sektor hajdutërinë dhe korrupsionin ekzemplar, punësimet elektorale, ka goditur investitorët privatë, nuk lejon funksionimin e Bursës, të cilën e ka shpallur që në vitin 2016. Është i njëjti që ka mundësi të përdorë gazin e TAP prej 5 vitesh dhe nuk ka bërë asgje për ta shfrytëzuar atë. Pavarësi energjitike me Edi Ramën nuk ka! Kjo kërkon reforma dhe mirëmenaxhim, fjalë këto që nuk kanë lidhje me këtë kryeministër dhe këtë qeveri!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.