Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të deklaronte më 15 janar se e mbylli vitin 2018 me një fitim prej 4 miliardë lekësh apo rreth 32 milionë eurosh.
Kreu i këtij institucioni Adrian Çela do të theksonte në konferencën për shtyp se arkëtimet arritën në nivelin 65.7 miliardë lekë që është edhe vlera më e lartë historike e arkëtimeve duke shënuar 2 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin paraardhës.
Objektivi i kompanisë, u deklarua se do të jetë ulja e humbjeve, teksa 2018 u mbyll me nivelin 23.96 për qind. Në vitin 2017 humbjet ishin në nivelin 26.41 për qind duke zbritur nga 28.04 për qind që ishte në vitin 2016.
Por një ditë më vonë në fletoren zyrtare botohen ndryshimet e VKM-së NR. 1086, DATË 14.12.2013 që parashikojnë ngritjen dhe funksionimin e një njësie operacionale speciale, në mbështetje të Task Forcës, për evidentimin dhe ndërprerjen e lidhjeve e të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes dhe në sistemin e matjes së energjisë elektrike, e cila ndryshe nga më parë do të jetë pjesë e strukturës së OSHEE sh.a. duke e centralizuar kontrollin.
Gjithashtu operatori i shpërndarjes OSHEE ka bërë me dije ndryshimet në skemat e aktmarrëveshjeve për klientët që janë borxhlinj ndaj furnizuesit me energji.
Ndryshe nga më parë, klientët e OSHEE-së në pagesën mujore me këste, do të paguajnë edhe detyrimet për vitet e fundit (edhe të 2018-s).
Referuar aktmarrëveshjeve të mëparshme, klienti që të përfitonte nga skema lehtësuese e pagimit me këste të detyrimeve të shkuara për konsumimin e energjisë elektrike, duhej që të paguante të gjithë borxhin e akumuluar në vitin paraardhës.
Me skemën e re, klientët familjarë do të paguajnë një këst mujor 4200 Lekë, kurse për familjet në nevojë kësti është 1800 Lekë në muaj.
Aktualisht numërohen 110 mijë abonentë debitorë që do të jenë pjesë e aktmarrëveshjeve të reja me OSHEE-në dhe 40 mijë klientë të rinj që do të futen për herë të parë në skemë.
Me gjithë rezymenë pozitive të deklaruar për vitin që lamë pas, duket se operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike ka probleme me arkëtimet. Kryesisht me institucionet jo-buxhetore, të cilat vetëm gjatë vitit 2018-s janë rritur me 33 milionë Dollarë.
Problem më të madh në arkëtimin e të ardhurave e kanë shkaktuar Ujësjellësat. Por sanksionimi i tyre do të shkaktonte mungesë furnizimi me ujë ndaj qytetarëve.
Kjo pasqyrohet edhe në centralizimin e kontrollit me vendimin më të fundit të qeverisë ku njësia speciale në mbështetje të Task Forcës do të jetë strukturë e OSHEE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




