Treg

Energjia elektrike dhe industria përpunuese rritën Indekset e çmimeve të prodhimit dhe importit

Energjia elektrike dhe industria përpunuese janë dy sektorët me rritjen më të lartë të çmimeve në tremujorin e tretë 2021, në indeksin e çmimit të prodhimit, importit dhe eksportit.

Në çmimet e prodhimit , energjia u rrit me 3.6% dhe industria përpunuese me 2.4% në raport vjetor. Në indeksin e çmimeve të importit, rritjen më të madhe e kishte energjia elektrike me 35.1%,  ndjekur nga industria përpunuese që ka peshën më të madhe me 2.1%.

Indeksi i Çmimit të Prodhimit në tremujorin e tretë 2021, u rrit me 4.3% nga e njëjta periudhë e 2020-s.  Nga tremujori paraardhës, rritja raportohet 1.8% dhe Indeksi në 103.2.

Në raport vjetor rritja më e madhe vërehet në industrinë nxjerrëse, prej 10.7%, ndjekur nga energjia elektrike, gazi dhe industria përpunuese. Në ndarjen e industrisë përpunuese, metalurgjia ka pësuar rritje të çmimit të prodhimit me 7.8% dhe pajisjet e transportit me 4.4%.

Ulje të çmimeve ka pësuar grupi i shtypshkrimit dhe rigrupimit të mediave të regjistruara me 3%, pasuar nga prodhimi i pajisjeve elektrike me 1.5%, prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë me 1.3%.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shënoi rritje me 3.3%. Rritjen më të madhe sipas Instat e ka industria nxjerrëse me 8.5%.

Indeksi i produkteve për eksport krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, u rrit me 7.1% me një rritje shumë të lartë të energjisë elektrike, 42.3%.

Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti 103.2 duke shënuar një rritje me 3.3 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2020. Nga tremujori i dytë rritja raportohet 1.8%.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, në prodhim, import dhe eksport, lidhet drejtpërdrejtë me situatën energjitike në vend, cilësuar si një krizë, për shkak të reduktimit të prurjeve në hidrocentralet vendas. Rrjedhimisht, autoritetet e energjisë kanë importuar energji më një çmim tepër të lartë në bursat ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë