Kryeministri Edi Rama nxiti bizneset e mëdha, madje edhe familjarët që të investojnë te sigurimi vetjak i energjisë elektrike përmes paneleve diellore, duke paralajmëruar se kriza në furnizim sa vjen e ashpërsohet.
"Frika themelore nuk është thjeshtë rritja e çmimit, por mundësia e mungesës së energjisë, që të dalësh në treg e të mos e gjesh. Bizneset e mëdha duhet të mendojnë për të investuar në vetëprodhim të energjisë, pa pretenduar që të bëhen prodhues për të gjithë sistemin elektro-energjetik shqiptar, sepse kjo, për kohën që jemi, është diçka që konsiderohet e rrezikshme për sistemin”, deklaroi ai.
Në lidhje me këtë, kreu i Qeverisë tha se po punohet për një plan mbështetës edhe për familjarët, që duan të instalojnë panelet e prodhimit të energjisë elektrike përmes diellit.
“Po përgatisim një plan për të mbështetur familjarët, nëse familjet në një pallat do të duan të investojnë për të vënë panele diellore dhe njëkohësisht për bizneset nëse do të duan të prodhojnë energji për fabrikën e tyre gjatë gjithë kohës së ditës”, shtoi Rama.
Shqipëria ka miratuar që në 2017-n ligjin për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, si ajo nga dielli dhe era. Por, megjithëse vlerësohet si vend me kapacitet të mëdh për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, sidomos nga dielli, ky sektor është në hapa minimal në vend.
Sipas të dhënave të Instat, në 2021 prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri nga burimet e rinovueshme ishte vetëm 0.5 për qind e prodhimit neto vendas. Sa për krahasim, shifra është 10 herë më e vogël se sa prodhimi i energjisë diellore në Maqedoninë e Veriut, megjithëse Shqipëria vlerësohet si më e favorizuar nga klima në këtë drejtim.
Këtu pengesa nuk lidhet me pamundësinë e bizneseve relativisht të reja të këtij sektori, por me mungesën e një udhëzimi që të lehtësojë procedurat e lidhjes në rrjet të projekteve të vogla të energjisë së rinovueshme.
Prej kohësh, bizneset që ofrojnë ndërtimin e paneleve diellore e bëjnë këtë për bizneset të mëdha, por edhe për familjarë. Por, problemi është se prodhuesit e energjisë diellore nuk mund të shesin tepricën e energjisë së prodhuar te OSHEE për shkak të mungesës së një udhëzimi që duhet të dalë nga ministria, edhe pse ligji e parashikon këtë pjesë.
Një propozim tjetër i prodhuesve të energjisë përmes paneleve diellore është këmbimi i tepricës së energjisë së prodhuar prej tyre ditën, me energji të siguruar nga OSHEE natën. Në këtë rast, për të siguruar që ky treg të zhvillohet, prodhuesit propozojnë që për çdo 0.8 kilovat energji që transferojnë te OSHEE gjatë ditës, të marrin mbrapsht 1 kilovat gjatë orëve të natës.
Arsyetimi për këtë diferencë në këmbim lidhet me faktin që prodhimi i energjisë prej diellit kushtëzohet nga koha efektive e prodhimit, që është e reduktuar në disa orë. Kryeministri Rama foli për këtë kërkesë të prodhuesve.
“Problemi i shkëmbimit aty është mundësia për ta patur ditën dhe pamundësia për ta patur natën, gjë që sjell nevojën për shkëmbim, por për fabrikat që aktivitetin e kanë gjatë ditës, kjo është më e mira për t'u bërë", tha ai.
Në lidhje me vonesat në nxjerrjen e këtij udhëzimi, Ministria e Energjisë ka arsyetuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një udhëzim të thjeshtë, por për një ndryshim rrënjësor që prek të gjithë sistemin. Ajo thotë se ndryshimet prekin edhe kodet e shpërndarjes, entin rregullator dhe operatorët që operojnë aktualisht në treg.
Bizneset e mëdha në vend dhe prodhuesit, që kanë mundësinë e daljes në treg të lirë të energjisë dhe vetëprodhimin e energjisë nga burime alternative kanë kërkuar gjithashtu që dyshemeja e energjisë së caktuar të rritet përtej 500 KWh. Ministrja Balluku tha se ky limit nuk mund të rritet sepse janë bërë analiza nga ekspertë dhe se nuk e ndryshon qeveria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.