Politike

Energjia dhe siguria, dy kërkesat e Ramës për BE-në

Kryeministri Edi Rama kërkon nga Bashkimi Europian, që nëse do të ketë një plan financiar për përballimin e krizës energjitike, të përfshijë në këtë plan edhe Ballkanin Perëndimor.

“Nëse BE do të ketë dhe duhet të ketë një plan për përballimin e krizës energjitike dhe pasojat e tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave”, deklaroi Kryeministri në konferencën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

Borrell vizitoi Tiranën si pjesë e një turi vizitash e takimesh në rajon. Në këtë konferencë, Rama theksoi edhe rëndësinë e “Korridorit 8”, që lidh Durrësin në Shqipëri, kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe përfundon më pas në Varna në brigjet bullgare të Detit të Zi.

“Të nxitohet edhe projekti i Korridorit të Tetë, që është projekt prej disa kohësh në tryezë, por që në këto kushte bëhet me strategjik në aspektin e një korridori sigurie në rajon”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë në politikën e jashtme, të cilën e ka përputhur 100 për qind me atë të unionit.

“Shqipëria është një nga partnerët më të besueshme të BE dhe politika e jashtme e Shqipërisë është 100 për qind e përputhur me linjën e BE. Shqipëria ka konfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin ndërkombëtar”, tha Borrell.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë