Financa Personale

Ende pa marrëveshje konvertimi të patentave në Itali, emigrantët rrezikojnë punën

Ai është një emigrant shqiptar në Itali. Punon shofer kamioni, por vendi i tij i punës rrezikohet sepse nuk mund të konvertojë patentën shqiptare në atë italiane, jo për faj të tij.

Në e-mailin që i dërgon gazetës “Si”, emigranti thotë se ky nuk është  një shqetësim personal apo sporadic, por është një shqetësim i shumë emigrantëve shqiptarë në Itali.

“Edhe pse ndoshta nuk është situatë e përshtatshme, do doja të ndaja me ju shqetësimin në lidhje me konvertimin e patentave në itali. Marrëveshja për njohjen e tyre ka qene deri në 25 dhjetor 2019. Pas kësaj date autoshkollat nuk më kanë pranuar dokumentacionin që kam paraqitur pasi marrëveshja ka skaduar. Kontaktova në nr. e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor në Shqipëri dhe më thanë se jemi në bisedime me palën italiane.”- shkruan emigrant shqiptar në e-mailin dërguar gazetës “Si”.

Ai thotë se aktualisht po punon me patentën shqiptare e cila pritet të mos jetë më funksionale pas vitit të parë të rezidencës.

Shumë shpejt, tregon emigrant shqiptar në Itali, më skadon afati i përdorimit pasi mbush vitin e parë të rezidencës dhe si pasojë humbas vendin e punës.

“Jemi shumë shqiptarë që punojmë me kontrata dhe ky ngërç na bën të humbasim vendin e punës. Edhe pse nuk është momenti që prioritet të jenë marrëveshje të tilla për shkak të pandemisë dhe paralizimit të institicioneve nga të gjitha shtetet, do ju lutesha që të bëheni zëri ynë pranë institucioneve shqiptare në mënyrë që të na japin zgjidhje sa me shpejt. Ju falenderoj!”- përfundon ai e-mailin.

Gazeta “Si” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor e cila u përgjigj se I janë dërguar palës italiane të gjitha informacionet e nevojshme për rinovimin e marrëveshjes.

“Ju informojmë se nga komunikimet e zhvilluara me organet kompetente për këtë qëllim, është dërguar gjithë informacioni i nevojshëm për rinovimin e marrëveshjes dhe jemi në pritje të përgjigjes nga pala italiane. Sapo DPSHTRR të disponojë informacionin e nevojshëm për këtë qëllim do të njoftojë të gjithë të interesuarit nëpërmjet faqes së saj zyrtare apo dhe formave të tjera të komunikimit.”- citon Drejtoria e cila thotë se duhet patur parasysh fakti që shteti italian është shumë burokrat, po ashtu edhe situata e emergjencës shëndetësore në të cilën Italia është një nga vendet europiane të goditura më fort prej saj.

Marrëveshja për konvertimin e patentave ka hyrë në fuqi më 25 dhjetor të 2014 dhe në të përcaktohej se afati ishte 5-vjeçar.

Në marrëveshje përcaktohej në mënyrë të detajuar formati i patentave shqiptare që autoritetet italiane lejonin të konvertoheshin. Bëhej fjalë për formatin “letër”. Por, autoritetet shqiptare në 2017 ndryshuan formatin e patentës, pa bërë më parë një ndryshim të thjeshtë në marrëveshjen me palën italiane.

Për këtë arsye, formati i ri i patentave shqiptare nuk u njoh nga pala italiane dhe konvertimi i tyre u ndalua. I gjithë ngërçi mori zgjidhje me amendimin e marrëveshjes së 2014 vetëm në shtator të 2019, më shumë se një vit e gjysmë pas hyrjes në fuqi të formatit të ri të patentave.

Por, kjo zgjidhje zgjati pak, pasi vetë marrëveshja e 2014 përfundoi më 25 dhjetor 2019 dhe ajo nuk është rinovuar ende duke rrezikuar vendet e punës për shumë emigrantë shqiptarë në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë