Ngjarje

Ende aktive vatrat e zjarrit në Delvinë, përfshijnë dhe Borshin. Qeveria aktivizion dronët Bayraktar

Nga Gazeta ‘SI’- Nuk janë shuar ende flakët në malin e Dukatit dhe disa fshatrave në Delvinë.

Forcat zjarrfikëse janë prezente në terren ndërsa po punojnë edhe me mjete rrethanore për të shuar flakët. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes, si pasojë e erës, zjarri u përhap edhe midis fshatrave Borsh dhe Piqeras, të njësisë administrative Lukovë.

Në Delvinë, vazhdojnë flakët në fshatrat Kalas, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçës dhe Palavli, ku në terren ndodhen 100 forca. Ndërsa në Ploç të bashkisë së Selenicës, ka përhapje në Velç, Ramicë, Verbas dhe Matogjin. Për shkak të terrenit të vështirë, është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.

Qeveria ka ngritur në fluturim dronët Bayraktar TB2 për të monitoruar situatën me zjarret në të gjithë vendin.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka publikuar pamjet që kanë ardhur nga dronët Bayraktar pas monitorimit në 18 vatra zjarri aktive në rang vendi.

“Që në orët e para të mëngjesit, dronët Bayrakatar TB2 të Forca Ajrore kanë realizuar fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut. Ekuipazhet e Forcave Ajrore dhe efektivët e Forcave te Armatosura në terren në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territor, me përparësi në zonat e banuara”, thotë ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.

Flakët dolën ditën e djeshme jashtë kontrollit në tre fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz të Delvinës ndërsa me urdhër të ministrisë së Mbrojtjes u evakuuan banorët. Disa shtëpi, sipas banorëve rreth 40, janë prekur nga flakët, 8 prej të cilave ishin të banuara. Dëme të shumta pati edhe në pemëtari dhe bagëti. Në të 3 këto fshatra pati edhe shkëputje të energjisë elektrike.

Shefi i Komisariatit të Delvinës, Agim Troci u asfiksua gjatë ditës së djeshme dhe u dërgua në spital në Tiranë. Po ashtu edhe pesë persona të tjerë u trajtuan për djegie të shkallëve të ndryshme dhe problemeve shëndetësore të shkaktuara si pasojë e asfiksimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë