Pas 27 vjet bisedimesh, protestash dhe debatesh kombëtare, Greqia dhe Maqedonia kanë arritur në një marrëveshje. Dy vendet fqinjë kanë rënë dakort se emri i ri i Maqedoninë do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore, ose Severna Makedonija në gjuhën maqedonase.
Greqia ka kundërshtuar vazhdimisht emrin Maqedoni, duke iu frikësuar pretendimeve territoriale në rajonin e saj të veriut. Por vendimi më drastik erdhi kur Athina zyrtare vuri veton ndaj kërkesës së Shkupit për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Megjithatë, emri i ri tani duhet të miratohet nga populli maqedonas dhe parlamenti grek.
Cila është zgjidhja?
Sipas marrëveshjes, kombi i vogël ballkanik, i njohur në Kombet e Bashkuara si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (Fyrom) do të quhet Severna Makedonija, ose Republika e Maqedonisë Veriore. Gjuha do të jetë vazhdojë të jetë ajo maqedonase dhe qytetarët do të vazhdojnë të njihej si maqedonas (shtetas të Republikës së Maqedonisë Veriore). Tsipras dhe Zaev ranë dakord se emri i ri duhet të jetë si ndërkombëtar ashtu edhe bilateral, kështu që edhe 140 kombet që e njohin me emrin Maqedoni do të duhet gjithashtu ta njohin edhe si Maqedonia e Veriut.
A lindën mosmarrëveshjet për shkak të Aleksandrit të Madh?
Pjesërisht po. Greqia argumenton se Maqedonia është një pjesë e brendshme e trashëgimisë helene. Kryeqyteti i lashtë i Aigait ndodhet pranë qytetit modern grek të Verginas, ndërkohë që vendlindja e Aleksandrit është në qytetin grek të Pellas. Si pjesë e marrëveshjes, duhet të bëhet e qartë se populli i Maqedonisë Veriore nuk ka lidhje me qytetërimin e lashtë grek dhe se gjuha e tyre është pjesë e familjes slave, e cila nuk ka lidhje me trashëgiminë e lashtë greke.
Por, edhe pse Aleksandri mbetet një simbol i fuqishëm, kontestet e fundit territoriale mbi Maqedoninë janë shumë më serioze. Aleksandri i Madh sundoi mbi Greqinë dhe krijoi një perandori të madhe në botën e lashtë
Pasi osmanët u dëbuan nga një rajon i gjerë i njohur si “Maqedonia”, gjatë Luftërave Ballkanike të 1912-13, kombi nda midis Greqisë dhe Serbisë, por një pjesë të vogël e grabiti edhe Bullgaria. Në Luftën e Dytë Botërore, Maqedonia greke dhe ajo jugosllave u pushtua nga Bullgaria, një aleate e Gjermanisë naziste dhe Italisë. Kur Jugosllavia u shpërbë, Greqia u detyrua ta pranonte vendin e ri si “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (Fyrom)” në OKB, edhe pse pjesa më e madhe e botës e njohu thjesht si Maqedoni.
Çfarë ka ndryshuar?
Por pas shumë mosmarreveshjesh, Maqedonia ka kuptuar se përparësia e saj është anëtarësimi në BE. Qeveria e Maqedonisë ka ndryshuar totalisht frymën e bashkëpunimit me Greqinë, duke marrë vendimin që aeroporti “Aleksandri i Madh” të emërohet si “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, ndërsa autostrada në Koridorin 10 të quhet “Autostrada Miqësia”.Ndryshimet erdhën gjithashtu pasi Greqia është pengesa kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u takuan gjatë samiti të BE-së në Bullgari muajin e kaluar, duke sinjalizuar se marrëveshja e re për emrin do të arrihej së shpejti. Më pas ata patën një telefonatë të gjatë të hënën, e cila u pasua nga një tjetër bisedë telefonike të martën. Tsipras ishte i pari që njoftoi marrëveshjen e re. Më pas Zaev mbajti një deklaratë të drejtëpërdrejtë televizive, duke zyrtarizuar marrëveshjen historike. “Nuk ka më kthim pas”, deklaroi Kryeministri maqedonas.
Tsipras mbajti gjithashtu një fjalim të drejtpërdrejtë pak më vonë, duke folur për “një fitore të madhe diplomatike dhe për një mundësi të madhe historike”. Këto deklarata u pasuan nga konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili vlerësoi dy kryeministrat përgatishmërinë e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjen.
A do të aprovohet emri i ri i Maqedonisë?
Tanimë pritet që parlamenti i Maqedonisë të mbështesë marrëveshjen përpara se krerët e BE të takohen për samitin e 28 qershorit. Greqia më pas do të duhet të dërgojë një letër në BE duke tërhequr kundërshtimin për anëtarësimin e Shkupit, për të dërguar më pas një tjetër letër të ngjashme në NATO. Faza më e vështirë do të jetë referendumi popullor në Maqedoni, për aprovimin ose jo të emrit të ri. Nëse votuesit maqedonas mbështesin marrëveshjen, qeveria e tyre do të duhet ta ndryshojë gjithashtu edhe kushtetutën, një tjetër kërkesë kyçe greke.
Marrëveshja në fund duhet të ratifikohet nga parlamenti grek. Kjo nuk do të jetë aq e lehtë, pasi grekët në përgjithësi kundërshtojnë çdo emër që përfshin Maqedoninë dhe disa parti politike nuk kanë gjasa të mbështesin marrëveshjen e arritur nga Tsipras. Ditët e sotme partitë greke pritet të marrin një kopje të marrëveshjes prej 20 faqesh për ta ekzaminuar përpara se të shpallin qëndrimin e tyre. Tsipras këmbëngul se u është përmbajtur të gjitha “vijave të kuqe” të Greqisë, por dokumenti ka gjasa të kundërshtohet nga disa parti. Theksojmë se protesta të mëdha u mbajtën në 25 qytete greke këtë muaj, kundër marrëveshjes me Maqedoninë. Kur turmat e mëdha zbritën në qendrat e qyteteve të Athinës dhe Selanikut në shkurt, kompozitori i mirënjohur grek, Mikis Theodorakis, tha se shteti fqinj ishte i paligjshëm. “Maqedonia ishte, është dhe do të jetë përgjithmonë e Greqisë”, këmbënguli ai.
Çfarë do të ndodhë nëse marrëveshja nuk funksionon?
Por pavarësisht pritshmërive dhe entuziazmit, shumë gjëra mund të ndodhin gjatë një vere të gjatë dhe të nxehtë. Tsipras dhe Zaev do të duhet të përballen me kundërshtime të ashpra brenda vendeve të tyre, dhe më gjerë. Partia nacionaliste, Grekët e Pavarur, mund të refuzojë të mbështesë marrëveshjen, por nuk ka gjasa të vërë në rrezik negociatat. Edhe pse dy kryeministrat kanë marrë kontrollin e çështjes, ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara Mattheu Nimetz ka të ngjarë të thirret disa herë nga të dyja qeveritë, për të zgjidhur problemet me partitë opozitare.
Mosfunskionimi i marrëveshjes do të ishte një goditje e madhe jo vetëm për dy kryeministrat, por edhe për ambiciet e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE. /BBC/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.