Ne rrjet

Emri i Maqedonisë, koha për amnisti të dhunës së 27 prillit?

“Është koha që të lemë mënjanë lojërat politike partiake dhe të ecim përpara  për interesin tonë të përbashkët. Dua të dërgoj një mesazh falje dhe pajtimi për ngjarjet që ndodhën më 27 prill. Unë e di se kjo ka çmim, por jam i gatshëm të marr përsipër kostot politike. Politikanët shkojnë dhe vinë, por shteti dhe populli mbeten përgjithmonë”.

Nëpërmjet kësaj deklarate, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, sinjalizoi se ai dhe qeveria e tij janë gati t’u ofrojnë amnisti të gjithë deputetëve dhe eksponentëve që u përfshinë në sulmin e dhunshëm të parlamentit, rreth një vit më parë, në këmbim të votave për ndryshimet kushtetuese që sjellin miratimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Kjo lëvizje politike, e cila shkaktoi jo pak bujë në parlament, erdhi mes një diskutimi të zjarrtë për miratimin  e ndryshimeve kushtetuese. “Mendoni për të ardhmen, të ardhmen e fëmijëve tuaj", tha Zaev gjatë hapjes së debatit parlamentar.  "Vullneti i qytetarëve është që vendi është të ecë përpara", theksoi ai.

Kryeministri tha se dështimi i marrëveshjes me Greqinë do të çonte në izolimin e mëtejshëm ndërkombëtar të Maqedonisë. "Njerëzit duan stabilitet, siguri dhe prosperitet ekonomik. E vetmja rrugë për arritjen e këtyre qëllimeve është përmes NATO-s dhe anëtarësimit në BE. Nuk ka dhe nuk mund të jetë tjetër, alternativë", tha ai. Por ndërkohë që për shumicën e analistëve në Shkup u bë e qartë se kryeministri Zaev ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për të çuar deri në fund këtë marrëveshje, ministrat thanë se mediat keqkuptuan fjalimin e kryeministrit. Sipas tyre Zaev ishte duke bërë thirrje për pajtim kombëtar, por kjo nuk do të thotë se qeveria është e gatshme të ofrojë amnisti për huliganët që sulmuan parlamentin vitin e kaluar.

"Kryeministri foli për pajtimin, shtrirjen e duarve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk kishte asnjë thirrje për amnisti", tha për mediat Edmond Ademi, ministri përgjegjës për diasporën.

Kryeministri Zoran Zaev

Sulmi ndaj parlamentit në prill të vitit të kaluar vazhdon të mbetet një plagë delikate për politikën maqedonase. Dhuna shpërtheu mes tensioneve të larta politike në vend, pasi mbështetësit e VMRO DPMNE-së sulmuan parlamentin në përpjekje për të ndaluar socialdemokratët e Zaevit të formonin qeverinë. Pas zgjedhjeve të dhjetorit, kreu i partisë social-demokrate Zoran Zaev krijoi më 31 maj një qeveri koalicioni me dy parti shqiptare. Por kjo solli mjaft trazira në vend. Më 27 prill, protestuesit nacionalistë sulmuan parlamentin, duke dhunuar Kryeministrin Zaev dhe dhjetëra deputetë të tjerë. Dokumentet e publikuara nga OCCRP tregojnë se të paktën një agjent i inteligjencës serbe ishte i pranishëm gjatë sulmit.

Në mars të këtij viti, prokuroria akuzoi 30 persona për terrorizëm, duke përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë dhe deputetë aktual të VMRO DPMNE. Gjyqi është ende në zhvillim. Gruevski dhe figura të tjera të larta të VMRO-së janë aktualisht nën hetim nga një prokuror i posaçëm për akuzat që përfshijnë shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.

Fjalimi i fundit i Zaev vjen mes shqetësimeve të shumta nëse qeveria do të jetë në gjendje të mbledhë shumicën e nevojshme prej dy të tretash në parlament. Qeveria e Zaev ka insistuar se nuk ka ndërmend të negociojë për dhënien e amnistive për përfaqësuesit dhe mbështetësit e opozitës që janë duke u gjykuar, por qëndrimi i tij në parlament duket se provoi të kundërtën. Dita e parë e debatit mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara tregoi po ashtu se partitë në pushtet dhe opozita janë ende në pozicione të kundërta.

Protestuesit maqedonas sulmojnë parlamentin, duke dhunuar Kryeministrin Zaev dhe dhjetëra deputetë të tjerë.

Ndërkohë që deputetët e mazhorancës i nxitnin kolegët e tyre që të bashkoheshin me ta në marrjen e një vendimi historik për të ardhmen e vendit, opozitarët vazhduan të këmbëngulin që marrëveshja e emrit rrezikonte identitetin e maqedonasve. Deputeti i VMRO DPMNE Ilija Dimovski sugjeroi që alternativa ishte një partneritet strategjik me BE dhe NATO derisa të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjen e emrit. “Miqësia me Greqinë është e domosdoshme, por së pari duhet të arrijmë një pakt brenda Maqedonisë. Kemi nevojë për mirëkuptim me Greqinë, por këtë së pari duhet ta gjejmë atë brenda Maqedonisë. Prandaj nuk kemi mundësi tjetër përveçse t’i heqim të drejtën qeverisë për të vendosur për këtë çështje të rëndësishme dhe ndërkohë të arrijmë një konsensus për hapat e mëtejshme”, ka deklaruar Dimovski. ”Ndryshimi i emrit në të paktën 51 nene të Kushtetutës, përfshirë edhe preambulën është diçka që edhe pesimisti më i madh në Maqedoni nuk do ta shihte në ëndrrën e tij më të keqe”, shktoi ai.

Por nëse miratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk arrihet në një afat kohor prej dhjetë ditësh, qeveria ka paralajmëruar se do të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Megjithatë, VMRO-DPMNE ka kundërshtuar edhe këtë alternarive, duke thënë se ato nuk mund të mbahen derisa Zaev të heqë dorë nga pakti me Athinën për ndryshimin e emrit.

“Kryeministri Zaev duhet të heqë dorë menjëherë nga Marrëveshja me Greqinë. Vetëm atëherë mund të shkohet në zgjedhje dhe populli të vendosë. Pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE-ja do të përkrahë formimin e një Prokurorie të re për luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo do ta hetojë edhe punën e qeverisë aktuale dhe të gjitha aferat që lidhen me qeverinë, përfshirë dhe parregullsitë e referendumit, por edhe të gjitha materialet e theksuara nga përgjimi ilegal që kanë të bëjnë më Zoran Zaevin dhe LSDM-në”, deklaroi para disa ditësh kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë