Enkelejd Alibeaj mblodhi në debatin më të diskutueshëm brenda PD-së deputetët e tij për të zgjedhur një president konsensual.
Prej më shumë se një muaji ai ka mbledhur tre herë të njëjtët deputetë, është shkarkuar nga “Rithemelimi”, ka sfiduar këtë të fundit dhe u është bashkuar negociatave me Taulant Ballën si ai i mandatuari zyrtar nga PD.
Jo vetëm.
Ai hartoi edhe një dokument të gjatë me një qerre kriteresh, mori seriozisht faktin se duhet të jetë anti-komunist, të mos ketë qenë i angazhuar në politikë 5 vitet e fundit, të ketë kaluar formularin e dekriminalizimit e deri qartësoi me pika të panevojshme hapat që duhet të ndiqen për skualifikimin e emrave nga mazhoranca.
Në ditën kur gjërat duhet të bëheshin konkrete, shumëkush priti emrat që do të dilnin nga gjithë ky proces i komplikuar që në thelb është shumë më i thjeshtë.
Në një mbledhje më të zgjeruar se hera e fundit, filloi edhe diskutimi konkret nga deputetët e drejtuar nga Alibeaj. Dhe të gjithë të propozuarit duket se janë hedhur në debatin politik, për t’u bërë qokën
I pari që u propozua është emri i Leondard Demit, ish-deputet i PD-së dhe ekspert i politikave të NATO-s.
Demi u propozua nga miku i tij i hershëm Ferdinand Xhaferaj.
Për të kaluar tek emri i Arben Çejkut, pa profil politik, me një rol simbolik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai ka qenë ambasador në Shkup dhe Prishtinë.
Por Çejku fillimisht ka punuar në zyrën e shtypit të PD-së (para vitit 2005) bashkë me kryetaren e Këshillit Kombëtar (atij këshilli që njihet nga Basha), Arta Sakja.
Për të shkuar tek emri i kolonel Dritan Demirajt, emri i propozuar nga Basha si ministër “tranzitor” në kohën e marrëveshjes së famshme të 17 majit, që pala e Rithemelimit nuk po lë gur pa a anatemuar edhe pse atëbotë Sali Berisha ishte i pari që e trumbetoi si pakt fitues, para se të zhgënjehej po ai i pari
Kush është emri tjetër? Jorida Tabaku kolegia e propozuar nga kolegu i saj Kreshnik Çollaku apo edhe kolegia tjetër e vjetër ne PD, Lajla Përnaska, që herën e fundit pati një replikë në distancë me Berishën për kravatat e Edi Ramës.
Për të kaluar tek propozimi i Dhurata Çupit që si deputete e Dibrës ka propozuar Princ Lekën për President.
Në listë janë edhe emri i Rexhep Ukës që mori pjesë tek kongresi i Bashës ku atakoi fort figurën e Sali Berishës, por edhe emri i Halim Kosovës i trumbetuar më herët nga Basha, por që në fund vetë Kosova doli i zhgënjyer prej tij.
Shumëkush e mban mend shpërthimin e Halim Kosovës ndaj Komisionit “Ruli” që ngriti Basha për kandidatët për deputetë. Kosova adresoi akuza ndaj Genc Rulit dhe Tritan Shehut që sot është rreshtuar me Rithemelimin.
Në mbledhje është propozuar edhe emri i Dashamir Shehit që aktualisht është kryetar i LZHK-së por u përfshi si deputet në radhët e grupit parlamentar të PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.