Politike

Emrat e deputetëve të parë të Parlamentit të ri

Aktualisht po numërohet vetëm në Tiranë dhe Durrës dhe nëse vota vetjake e kandidatëve për deputetë të përfshira në listat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk do të rezervojë ndonjë surprizë, 10 nga 12 qarqet e vendit kanë prodhuar emrat e deputetëve për Parlamentin e ri.

Dibra ishte qarku më i luftuar, ku deri në kutinë e fundit gara për mandatin e tretë mes PS-së dhe PD-së mbeti e hapur. Në fund, PD doli forcë e parë me 278 vota plus, që i dhanë mandatin e tretë.

Numërimi ka përfunduar edhe në Vlorë, ku 12 mandatet e këtij qarku ndahen 8 me 4 për Partinë Socialiste, ndërsa LSI nuk merr asnjë. Me këtë rezultat, PS ka arritur objektivin e saj, ku i teti i renditur është vetë kryesocialisti Edi Rama.

Nëse PS merr mandatin e 8 edhe në Durrës, ku është ende duke u numëruar, atëherë Rama mund të zgjedhë që të marrë mandatin nga njëri prej këtyre dy qarqeve. Nëse zgjedh Durrësin, lista fituese e PS-së në Vlorë zhvendoset dhe mandatin e merr Teuta Rama. Edhe në këtë qark lista është paraprake dhe mund të ndryshojë në varësi të votës vetjake të kandidatëve, që do të numërohet pas përfundimit numërimit të votave për partitë.

Numërimi është mbyllur edhe në Qarkun e Shkodrës, ku surpriza më e madhe është Partia Socialdemokrate e Tom Doshit që merr dy mandate, ku i dyti është marrë në kurriz të PS-së, duke lënë jashtë Ilir Beqajn. Mbetet për t’u parë nëse Beqaj do t’ja dalë mbanë që të thyejë herësin dhe të zëvendësojë një prej 3 emrave pararendës në listën fituese për të hyrë në Kuvend.

Numërimi është mbyllur edhe në qarkun e Korçës me rezultatin 6 me 5 për Partinë Socialiste. Për PS, lista fituese mbyllet me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Në Elbasan, PD mbrojti mandatin e 6-të, ndërsa Partia Socialiste mori 8 mandatet e tjera, duke u mbyllur me emrin e Taulant Ballës. LSI, që në 2017-ën mori 2 mandate, këtë vit doli pa asnjë mandat nga ky qark.

Në Fier PS ka marrë 9 mandate, PD gjashtë dhe LSI një mandat. Lista fituese e PS-së mbyllet me emrin e Gramoz Ruccit. Në këtë qark fillimisht kandidonte si i katërti edhe i ndjeri Bashkim Fino. Pas vdekjes së parakohshme të tij, KQZ korrigjoi fletën e votimit. Nga PD, lista fituese mbyllet me emrin e Ilda Dhorit. Për LSI-në, lista kryesohet nga Monika Kryemadhi, që gjithashtu është e para edhe në Qarkun e Tiranës. Nëse kryetarja e LSI-së zgjedh të përfaqësojë kryeqytetin, atëherë lista zhvendoset me Kejdi Mehmetajn, që është e dyta në Fier.

Edhe në Berat mandatet ndahen mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, duke lënë jashtë Kuvendit LSI-në. Numri total i mandateve është 7, ku pesë kalojnë për PS, që mbyllet me emrin e drejtuesit politik të këtij qarku, Blendi Klosit dhe 2 mandate shkojnë për PD.

Shtatë mandatet e Lezhës ndahen në 4 me 3 për Partinë Demokratike. Lista fituese e demokratëve në këtë qark mbyllet me emrin e Kastriot Pirolit, ndërsa lista e PS-së me emrin e Shpresa Marnoj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë