Ka ndodhur

Emiljano Shullazi dërgohet në spital, RENEA e shoqëron me automjet të blinduar

Gazeta Si – Emiljano Shullazi është shtruar në spitalin e burgut. Forca të shumta policie, kanë bërë shoqërimin e tij nga ambientet e burgut 313 në Tiranë, ku ai mbahet i izoluar në sistemin “41 Bis”.

Ai është trasportuar me urgjencë në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore që ka shfaqur.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me repartet RENEA të Policisë së Shtetit, shoqërojnë të burgosurin Emiliano Shullazi nga burgu 313 drejt QSUT, ku do t’i kryehet një vizitë e planifikuar nga mjekët”, njoftoi këtë të mërkurë në orën 12:00 zyra e shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Prej disa kohësh, Shullazi është në izolim të rreptë, ndërsa edhe takimet me persona të ndryshëm kanë qenë më të pakta. Transportimi i tij ka qenë nën masa të rrepta sigurie nga një automjet i blinduar i RENEA-s

Ai ka kundërshtuar sërish vendimin e Gjykatës së  Lartë për qëndrimin brenda izolimit “41 bis”, duke kërkuar ndryshimin e vendimit.

Shullazi dhe grupi i tij është dënuar me 55 vite burg në total me akuzën e ngritjes së grupit kriminal, vendim i dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda. Ai vuan vuan dënimin prej 14 vite burg për akuzën e gjobëvënies ndaj biznesmenit Ylvi Beqja. 

Ndërkaq, me 12 vite burg u dënua Gilmando Dani, Indrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Shullazi akuzohet nga SPAK edhe për vrasjet e bujshme të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ndërsa SPAK ka dërguar grupin e tij në 15 shkurt për gjykim.

Mes të pandehurve për të cilët SPAK i kërkon gjykatës të dënohet është edhe Luftar Reçi, i njohur si bashkëpunëtori drejtësisë, i cili me rrëfimet e tij ka zbardhur disa krimet të bëra nga grupi kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë