Ne rrjet

Emigrantët në Gjadër/ Meloni drejt një dekreti të ri për të rrëzuar gjyqtarët e padëshiruar

Fratelli d'Italia drejton gishtin drejt atyre që kanë vendosur t të mos pranojnë paraburgimet e emigrantëve në Gjadër. Hapet rruga për një ndërhyrje legjislative ad hoc. Partia Demokratike e Italisë: Qëndrim i papranueshëm që ngre pikëpyetje shqetësuese

43 emigrantët që ishin transportuar nga Lampedusa në Shqipëri, por ndalimi i të cilëve nuk u vërtetua nga Gjykata e Apelit në Romë, mbërritën në Itali mbrëmjen e së shtunës, me 1 shkurt. Ata u dërguan në Bari dhe kthimi i tyre u shënua nga polemika politike me akuza të reja nga forcat qeveritare ndaj organeve të drejtësisë për të tretën “jo” radhazi.

Mediat italiane shkruajnë se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet, përkundrazi ngërçi me drejtësinë sa vjen e shtohet dhe duket se po shqyrtohet hipoteza e një dekreti të ri që do të vepronte drejtpërsëdrejti te gjyqtarët e “ padëshiruar”.

Pse emigrantët u kthyen në Itali

Pas dy refuzimeve të para të paraburgimit, u dha një dekret që zhvendosi juridiksionin e çështjes nga gjyqtarët e seksionit të emigracionit tek ata të Gjykatës së Apelit. Ekzekutivi besonte se kjo do t’i lehtësonte gjërat por nuk ishte ashtu. Gjykata e Apelit të Romës në fakt ka refuzuar ndalimin e emigrantëve në qendrën e Gjadrit, duke iu referuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë duke ngritur dyshime nëse një vend mund të klasifikohet si i sigurt, “kur kushtet thelbësore për përcaktimin e tij nuk plotësohen”.

Emigrantët që kthehen në Itali për herë të tretë, çfarë do të bëjë qeveria?

“Një qeveri lakonike po punon për të kapërcyer këtë pengesë”, doli nga Palazzo Chigi, ndërkohë që lajmet ishin ende ‘të nxehta’. Disa orë më vonë Ministria e Brendshme njoftoi se “qeveria do të ecë përpara” për protokollin Itali-Shqipëri. Por si? Skenari që po shfaqet është ai i një dekreti të ri që megjithatë do të ndikonte në zgjedhjen e gjyqtarëve të thirrur për të vendosur.

Fratelli d’Italia, përmes drejtuesve të grupeve në Dhomë dhe Senat Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan, nënvizoi se “të 5 gjyqtarët që nënshkruan dispozitat e Gjykatës së Apelit vijnë nga seksioni i specializuar i gjykatës së Romës”. Ai nga i cili ekzekutivi donte t’i hiqte kompetencën për vleftësimin e paraburgimeve.

Ata, thonë përfaqësuesit, po ‘emigrojnë masivisht’, falë edhe dispozitës së Kryetarit të Gjykatës që i lejon ta bëjnë këtë.

“Një tallje e qartë me Parlamentin. Mund të pajtohemi ose jo me një ligj të shtetit por në demokraci ligji respektohet dhe zbatohet dhe kjo vlen edhe për ata që janë pjesë e gjyqësorit”.

Këtyre deklaratave i shtohen edhe ato të Alessandro Cattaneo, kreut të departamenteve dhe deputet i Forza Italia, i cili i intervistuar nga Affaritaliani.it tha: Ne do të bëjmë atë që duhet bërë në nivel legjislativ, por ajo që ka rëndësi është që politikisht do të lëvizim përpara me projektin e Shqipërisë pa asnjë dyshim dhe me mbështetjen e plotë të të gjithë mazhorancës.

Kështu, po merr formë hipoteza se po studiohet një dekret që do të vendoste edhe një herë se kush duhet të shprehë mendimin e tij për ndalimin e emigrantëve, e forcuar nga deklaratat e mazhorancës.

Për Debora Serracchiani, deputete e PD-së, ky është “një qëndrim i papranueshëm, i cili ngre pyetjen shqetësuese: çfarë ka në mendje Fratelli d’Italia?

Burimi: Today.it. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë