Pas dy ditësh operacione, anija ushtarake Libra është nisur drejt Shqipërisë, me vetëm tetë persona në bord. "La Repubblica" shkruan se fillimisht u zgjodhën nëntë, por një burrë nga Bangladeshi u gjykua si shumë i moshuar dhe me shëndet shumë të dobët, duke u konsideruar i pambrojtur.
Në bord të Libra mund të udhëtojnë deri në dyqind persona, përveç ekuipazhit, dhe ky ishte objektivi i shpallur i qeverisë kur filloi operacioni. Por në praktikë, vetëm pak nga ata që kalojnë detin mund të kalojnë nëpër procedurat e përshpejtuara të kufirit, të cilat janë një kusht për hyrjen në qendrat e reja në Shqipëri.
Të tjerët kanë të drejtë të kalojnë në procedurën e zakonshme.
Nga mbi 1,200 persona që mbërritën brenda dy ditësh në Lampedusa, vetëm tetë janë burra të ardhur nga vende të sigurta. Ata tani do udhëtojnë për të paktën edhe 48 orë në një anije 80 metra të gjatë, me të paktën 70 anëtarë ekuipazhi.
Në Shëngjin ata mund të mbërrijnë të premten, rreth një javë pas fillimit të udhëtimit të tyre nga brigjet e Libisë. Edhe këtë herë, ata do ti nënshtrohen procedurave para se të vendosen përfundimisht në Kampin e Gjadrit, ku do të presin vendimin për tu kthyer në vendin e tyre apo në Itali.
Pas vendimeve të fundit të gjykatave në Romë dhe Katania, të cilat kanë hedhur poshtë dekretin e "Vendeve të Sigurta", pritet konfirmimi nëse ata do lejohen të qëndrojnë në Shqipëri apo do të kthehen në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.