Gazeta Si – Dy gjykata në Itali kanë vendosur të injorojnë dekretin e qeverisë italiane lidhur me emigrantët, përmes të cilit u riklasifikuan vendet nga ata vijnë, në të sigurta ose të pasigurta.
Sipas mediave italiane, dekreti i miratuar nga qeveria e kryeministres Georgia Meloni, që synonte të kishte një listë të qartë të vendeve të sigurta për ta bërë të zbatueshëm marrëveshjen me Shqipërinë, po vihet sërish në rrezik dhe kjo për shkak se dy gjyqtarë kanë menduar ndryshe.
Një gjyqtar në Katania, teksa ka vlerësuar legjitimitetin e ndalimit të një të mituri egjiptian, ka shkruar në vendim se Egjipti nuk mund të konsiderohej një vend i sigurt, ndryshe nga siç listohej nga vendimmarrja e ekzekutivit italian.
Gjyqtari thotë se dekreti i qeverisë Meloni nuk mund ta privojë gjyqtarin të marrë një vendim të tillë, të garantuar nga gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian.
Duke argumentuar se pse Egjipti sipas tij nuk mund të jetë vend i sigurt, Gjyqtari Escher thotë se është një nga vendet ku zbatohet dënimi me vdekje dhe numri i ekzekutimeve është ndër më të lartat në botë.
Gjithashtu sipas tij, Egjipti ka shkelje të lirisë së fesë dhe të drejtave civile, dhunë dhe diskriminim ndaj grave dhe të miturve.
Ndërkohë, po ashtu një Gjykatë në Romë, teksa shqyrtonte çështjen e një prej 12 personave që më herët u transferuan në Gjadër dhe më pas u rikthyen në Bari, e ka dërguar dekretin për vlerësim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, siç më parë kishte vendosur një gjyqtar në Bolonja.
Këto vendime të gjykatave e vënë sërish në dyshim në Itali zbatimin e marrëveshjes së emigrantëve me Shqipërinë, teksa dy ditë më parë u vendos që së shpejti të mbërrijnë në Gjadër emigrantë të tjerë dhe anija “Libra” ka rinisur operacionet 20 milje larg Lampeduzës për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në ujërat e Mesdheut.
Ndërkohë, anija e Rojës Bregdetare “Libra” ka mbërritur në Lampeduza, ku ka kryer transportimin e parë të emigrantëve.
“Libra” është njësia detare që mund të kryejë transferime në qendrat në Shqipëri nëse emigrantët e marrë në bord plotësojnë kërkesat e përcaktuara me ligj (mashkull, të rritur, që i përkasin kategorive jo të cenueshme).
Për momentin është saktësuar vetëm se “ka zbarkime në vazhdim” dhe “në ditët në vijim me siguri do të ketë të tjera duke pasur parasysh kushtet e mira të detit. Priten ardhje të mëtejshme të emigrantëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.