Shendet

Emailet e punës po na shkatërrojnë

Nuk kalon java pa ndonjë studim të ri, që ngre shqetësimet rreth përdorimit tonë kompulsiv të smartphone-ëve dhe medias sociale. “Ofcom”, rregullatori britanik i komunikacionit, ka zbuluar se dy të pestat e të rriturve i shohin telefonat e tyre pesë minuta me t’u zgjuar –ndërsa kap shifrën e dy të tretave për ata nën moshën 35 vjeçare. Më shumë se gjysma kanë thënë se pajisjet e tyre, i kanë ndërprerë vazhdimisht bisedat ballë për ballë me miqtë dhe familjarët. Qendra Kërkimore “Pew”, një think-tank amerikan, ka raportuar se çereku i amerikanëve të rritur janë “pothuajse pandërprerë” online.

Thuajse gjysma e të pyeturve, në botimin e fundit të një vëzhgimi britanik afatgjatë nga agjencia e konsultimeve “Deloitte” kanë pranuar se kanë pasur nevojë të vazhdueshme për të kontrolluar telefonat e tyre. Por si po e ndikon kjo jetën e biznesit? Ka tanimë një pranim të gjerë se barra e e-maileve, që vazhdon të përmbytë inbox-et edhe pasi individët kanë mbaruar punën, mund të ketë efekte negative në shëndetin mendor. Në fakt, ishte përshtatja masive e e-mailëve në telefonat celularë, që i dhanë fillesa epokës së “teknostresit” , thotë Cary Cooper, profesor i psikologjisë organizative dhe shëndetit, në Shkollën e Biznesit të Mançesterit. Cooper është bashkëkryetar i Forumit Kombëtar për Shëndetin dhe Mirëqenien në Punë, që sjell bashkë punëdhënësit e mëdhenj si BT, BP dhe Shell, me qeverinë dhe përfaqësuesit e shëndetit dhe medias sociale për të “reduktuar nivelet e stresit dhe rritjen e prodhimtarinë në vendet e punës.”

Drita pulsuese në telefon apo ndonjë alarm njoftues mund të bëhen shumë integrale ndaj përvojës sonë ndijore, aq sa mund të ndiejmë parehati, nëse jemi pa to.”


Kontrolli i vazhdueshëm i pajisjeve po i bën njerëzit të ndihen të mbingarkuar”, thotë ai. “I shmang nga puna e tyre dhe i angazhon, në kohën kur duhet të ishin duke pushuar netëve, fundjavave dhe nuk ndërveprojnë me familjarët e tyre, aq shumë”. Paul McLaren, një psikiatër nga Spitali Priory në Kent, pajtohet. “Aftësia për të aksesuar e-mailin nga kudo, nga tualeti deri në majën e malit, e bën të vështirë për njerëzit që kanë probleme me vendosjen e caqeve. Koha e fundjavave dhe e pushimeve mësyhet nga rrjedha e postës që mbërrin. Drita pulsuese në telefon apo ndonjë alarm njoftues mund të bëhen shumë integrale ndaj përvojës sonë ndijore, aq sa mund të ndiejmë parehati, nëse jemi pa to.”

Richard MacKinnon, një psikolog i profesioneve dhe drejtor menaxher i “WorkLifePsych", që siguron mbështetje psikologjike për profesionistët, ka këndvështrim të ngjashëm. “Ekzekutivët më të cilët flas, i renditin e-mailet, si një nga pikat më stresuese në punë. Ata janë atje duke krijuar dhe vënë në jetë strategji dhe megjithatë, ja ku janë, në tetë, në nëntë, në dhjetë të natës duke zbrazur postën elektronike, që do të rimbushet ditën pasardhëse.”


Franca gjithashtu e ka njohur problemin, duke prezantuar një ligj që u garanton punëmarrësve të drejtën e “shkëputjes” pasi janë larguar nga vendi i punës. Në nivel korporate, disa kompani të mëdha gjermane kanë bërë përpjekje të trajtojnë mbingarkesën. Daimler i fshin automatikisht e-mailet e punonjësve, ndërsa ata janë me pushime dhe, Volkswagen i bllokon jashtë orëve të punës – ndonëse janë në inbox-et e punonjësve kur ata kthehen në punë.

Legjislacioni, megjithatë, nuk është përgjigja, argumenton MacKinnon. “Sapo krijon një ligj, gjëja e parë që njerëzit bëjnë është të gjejnë shtigje”, thotë ai. Rregullat e rrepta gjithashtu parandalojnë fleksibilitetin që disa punonjës preferojnë, thotë Cooper. Forumi i Cooper ka prodhuar udhëzime për t’i ndihmuar kompanitë që, të vendosin një ekuilibër mes mirëqenies dhe përfitimeve të të qenit në linjë. Këto përshijnë respektimin e kohës së pushimit të kolegëve, lidership i qartë nga menaxhimi në caktimin e normave të sjelljes, shkurajimi ndaj e-maileve “reply all” dhe përkujtues të rregullt të fuqisë që të jep dalja nga linja, si përshembull “E premtja pa e-maile”.

Teknologjitë janë një forcë përçarëse në vendet e punës. Ato po ndryshojnë në mendjet tona, mënyrën si i bëjmë gjërat”


Ndryshimi duhet të vijë nga maja, thotë David D’Souza, drejtor i anëtarësimit në Institutin e Personelit dhe Zhvillimit, të Chartered. Ai thotë: “Liderët duhet të jenë në dijeni të faktit se përgjigja e një e-maili në orën 10, të shtunën mbrëma, përcjell një mesazh të qartë të organizimit: punonjësit senior, ata që janë më të suksesshëm, janë ata që nuk ndalen. Kjo mund të shkaktojë dëmtime në shëndet.” McLaren shton: “Pjesa më e madhe e punëdhënësve do të kenë politika që shkurajojnë përdorimin e pajisjeve personale apo të kompanisë, për përdorim vetjak gjatë orëve të punës, por nëse varësia është mjaft e fortë, atëherë njerëzit prapë do ta bëjnë. Shumë njerëz do t’u hedhin një sy mesazheve ose Facebook-ut gjatë ditës së punës dhe, vija mes kohës së komunikimit personal dhe kohës së punës, bëhet e paqartë.”


Këto vija të paqarta mund të jenë një arsye që përdorimi kompulsiv i medias sociale ende nuk është shfaqur si një çështje e madhe për punëdhënësit. Shqetësimet e biznesit deri tani kanë qenë të fokusuara tek rreziqet e reputacionit të një kompanie nga tweet-et e keqkuptuara apo përditësimet e statuseve, më shumë sesa shëndeti mendor i punonjësve.
Megjithëse ende nuk konsiderohet aq e dëmshme sa varësi të tjera si bixhozi online, lojërat apo pornografia, shqetësimi rreth efektit të medias sociale në jetët tona profesionale, po rritet.

Susan Hepburn, një terapeute londineze dhe eksperte e varësive, thotë se ka pasur “një rritje domethënëse tek individët që vijnë tek unë rreth varësive nga mediat sociale – veçanërisht në dhjetë vitet e fundit. Disa madje kanë humbur edhe vendet e punës si rezultat i kësaj.”Problemi nuk është shumë i raportuar. “Media sociale është aq e ingranuar në jetët e shumicës prej nesh, sa me gjasa as merret në konsideratë të përmendet”, thotë McLaren.


Por ndërsa mjete si Screen Time, i Apple – që u lejon përdoruesve të vendosin limite sesa kohë do të shpenzojnë në aplikacione – vënë re përdorimin e tepruar, MacKinnon dhe D’Souza mendojnë se media sociale vështirë se është përgjegjëse për rënien e produktivitetit. “Njerëzit përdorin Facebook-un në vendin e punës ,që është dukshëm një ngrënës kohe, por historikisht, të gjithë kemi gjetur mënyra për ta çuar dëm kohën në punë”, thotë D’Souza.Hepburn, megjithatë, mendon se fakti që përdorimi i medias sociale është ende jashtë radarëve të pjesës më të madhe të kompanive, mund të bëhet problem. “Shumë punëdhënës nuk implementojnë rregulla të rrepta apo të qarta rreth përdorimit të medies sociale në punë dhe kështu, me mungesën, kërcënimin apo pasojën e rreptë, shumë punonjës besojnë se është në rregull të hedhin një sy të shpejtë në kanalet e medias sociale.

"U thoni punonjësve kur duhet dhe nuk duhet të hyjnë në e-maile. U thoni punonjësve të mbrojnë kohën e tyre të lirë. Sigurohuni që menaxherët të bëhen shembull"


Për fat të keq, kjo mund të përshkallëzojë në një varësi edhe më të rreptë. Përdorimi i medias sociale në punë mund të jetë shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Kompanitë përdorin gjithnjë e më shumë të njëjtat mjete për biznes si Twitter apo Facebook, ndërsa punonjësit e tyre e bëjnë për arsye sociale dhe ata në sektorë si marketingu, inkurajojnë zhvillimin e profileve të tyre. Por punëdhënësit kanë nevojë të jenë syhapur ndaj problemeve potenciale mes punonjësve të tyre, thotë McLaren.

“Shihni produktivitetin. A ka pësuar rënie performanca e tyre? A po bëjnë atë që duhet të bëjnë? A po e kuptojnë potencialin e tyre? Menaxherët mund ta shohin përdorimin e telefonave dhe mesazheve në zyrat e mëdha, pa ndarje. A është dikush i shpërqendruar për shkak se po i zhurmon apo pulson telefoni gjatë ditës? A po u kushtojnë më shumë vëmendje telefonave sesa punës përpara tyre?” Kompanitë duhet të jenë eksplicite, thotë ai. “U thoni punonjësve kur duhet dhe nuk duhet të hyjnë në e-maile. U thoni punonjësve të mbrojnë kohën e tyre të lirë. Sigurohuni që menaxherët të bëhen shembull. Ashtu si edhe me të tjera probleme mendore, bëhet fjalë për promovimin e ndërgjegjësimit dhe të sigurohemi se nëse punonjësit futen në vështirësi, të mund të kërkojnë ndihmë.”

"Historikisht, të gjithë kemi gjetur mënyra për ta çuar dëm kohën në punë"


Hepburn sugjeron zgjidhje të thjeshta si; të sigurohemi që punonjësit kanë “periudha offline gjatë ditës, qoftë në takime të organizuara ekipesh, dreka në grup apo sigurimi i aktiviteteve gjatë pushimit të drekës si joga – për t’i bërë punonjësit të shkëputen plotësisht dhe të hedhin një hap prapa ndaj rrjedhës së pandalshme të medias online.”
Megjithatë, çështja e madhe është se praktikat e punës duhet ende të rregullohen me epokën e re, thotë Lesley Giles, drejtore e think-tankut të punësimit “Work Foundation”. “Teknologjitë janë një forcë përçarëse në vendet e punës. Ato po ndryshojnë në mendjet tona, mënyrën si i bëjmë gjërat”, thotë ajo.

“Sfida për bizneset është se vërtet duhet të përqafojnë atë ndryshim dhe të ecin me të, për shkak se kufijtë po bëhen të paqartë mes asaj çka është punë dhe çfarë nuk është punë.”Si MacKinnon ashtu edhe Cooper mendojnë se punëdhënësit të vërejnë kur stafi po e përdor median sociale me tepri e më pas, të shqyrtohen praktikat e punës. “Mund të jetë mërzi, mund të jetë ankth, mund të jetë pasiguri se ç’do të bëjnë më pas, ose mund të jetë thjesht një ndjesi e trullosjes nga mbingarkesa”, thotë MacKinnon.“Çfarë i bën punonjësit të duan ta përdorin median sociale gjatë kohës së punës?, pyet Cooper. “Ka një arsye për këtë. Mbase nuk janë karikuar, nuk janë menaxhuar si duhet, nuk u janë dhënë objektivat e duhura. Kështu që mos ua vini fajin mediave sociale; përpiquni të kuptoni se ç’po bëjnë ata.” *Darren Dodd/Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë