Shendet

EMA shqyrton nëse duhet një dozë e tretë për fëmijët 12-15 vjeç

Rregullatori i barnave i Bashkimit Evropian nisi një rishikim për të vlerësuar nëse vaksina Pfizer, mund të përdoret si një injeksion i tretë përforcues tek adoleshentët e moshës 12 deri në 15 vjeç, edhe pasi disa vende të rajonit kanë nisur tashmë një fushatë të tillë.
Në deklaratën e saj të martën, Agjencia Evropiane e Barnave shtoi se një rishikim i vaksinave përforcuese të dhëna për adoleshentët 16 dhe 17 vjeç ishte në vazhdim.
Komiteti i vaksinave i Gjermanisë muajin e kaluar rekomandoi që të gjithë fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeç të marrin një përforcues, pas vaksinimit me dy doza, pasi shkalla e infeksionit vazhdon të rritet veçanërisht tek të rinjtë. Shtetet e tjera në rajon ndoqën të njëjtin shembull.

EMA shtoi të martën se këshillat se si duhet të bëhen vaksinat mbeten në dorë të shteteve anëtare të BE.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha në një raport të veçantë të martën se gjetjet e deritanishme tregojnë një rritje të efektivitetit të vaksinës kundër infeksionit tek adoleshentët që kanë marrë një përforcues krahasuar me adoleshentët që kanë marrë një ose asnjë vaksinë.

Ai shtoi, megjithatë, se nuk kishte ende të dhëna për kohëzgjatjen e mbrojtjes nga një dozë përforcuese dhe mbi efektivitetin shtesë kundër sëmundjeve të rënda.
ECDC tha se 10 vende në Zonën Ekonomike Evropiane, e cila përfshin 27 shtetet anëtare të BE-së plus Lihtenshtajnin, Islandën dhe Norvegjinë, kishin rekomanduar tashmë një dozë përforcuese për ata nën 18 vjeç.

Burimi:Reuters/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë